Një dokumentar i BBC-së mbi manjatin e mediave, Rupert Murdoch, ka rezultuar korrekt në pjesën më të madhe të tij, pas pretendimeve të ngritura nga personazhi kryesor për mënyrën sesi është paraqitur në të. Debati mes Murdoch dhe BBC-së mbi dokumentarin me titull “Ngritja e dinastisë Murdoch”, me tre pjesë, ka nisur që në transmetimin e pjesës së parë, në korrik të vitit 2020. Murdoch pati thënë në atë kohë se seria e dokumentarëve "nënkuptonte se ai përbënte një kërcënim për demokracinë liberale".

Kompania e Murdoch, News UK u ankua se dokumentari sugjeronte padrejtësisht se manjati "ushtroi ndikim politik keqdashës" përmes pronësisë së tij në media. Ajo e cilësoi programin e BBC-së si të njëanshëm dhe me mangësi në paraqitjen e arritjeve më pozitive të karrierës së Murdoch.

Ankesa e bërë në mënyrë zyrtare, diçka e pazakontë për Murdoch, pavarësisht se kritika për ndikim në industrinë e medias janë ngritur shpesh ndaj tij nëpër botë, kundërshtonte mungesën e paraqitjes së sukseseve financiare të Murdoch në botën e biznesit, gjë që, sipas News UK mund t'i ketë drejtuar shikuesit në një përfundim të gabuar në lidhje me suksesin relativ të karrierës së tij.

Siç raporton The Guardian, njësia e brendshme e ankesave editoriale në BBC, e cila ka shqyrtuar ankesën, thotë se përmbajtja e dokumentarit i plotësonte standardet e transmetuesit publik. Trupa audituese hodhi poshtë shumicën e kundërshtimeve të News UK, sipas të cilit dokumentari ishte i padrejtë sepse u dha shumë peshë kundërshtarëve të Murdoch, u dha shumë besim pikëpamjeve të njerëzve të lidhur me fushatën e rregullimit të shtypit Hacked Off, ose se programet nuk mbuluan në mënyrë të saktë skandalin që çoi në mbylljen e News of the World.

Megjithatë, njësia e ankesave i dha të drejtë Murdoch në një aspekt. Ata pranuan se dokumentari shkoi shumë larg duke nënkuptuar se një seri historish tabloidesh "të turbullta" në Sun dhe News of the World në pronësi të Murdoch, që ekspozuan jetën private të deputetëve konservatorë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 1997-s, lidheshin me vendimin e Murdoch për të mbështetur Laburistët e Rinj të Tony Blair. Dokumentari është ende i disponueshëm në shërbimin iPlayer të BBC, por kjo pjesë i është hequr.