Ushtarët e fundit amerikanë lanë Afganistanin këtë të martë. Aeroporti i Kabulit, i kthyer në skenën kryesore të dramës së afganëve, është tashmë bosh. Pa asnjë aeroplan dhe i patrulluar nga talebanët me automjete të blinduara, pamjet e tij tregojnë një kontrast të thellë me përpjekjet kaotike të evakuimit që ndodhën gjatë ditëve të fundit.

Ambasada amerikane në Kabul pezulloi operacionet. "Ndërsa qeveria amerikane ka tërhequr personelin e saj nga Kabuli, ne do të vazhdojmë të ndihmojmë qytetarët amerikanë dhe familjet e tyre në Afganistan nga Doha, Katar", thuhet në faqen e saj të internetit.

Ndërkohë, zëdhënësi kryesor i talebanëve uroi afganët për fitoren, disa orë pasi trupat e fundit amerikane u larguan nga vendi pas 20 vitesh ndërhyrje ushtarake.

"Urime Afganistanit ... Kjo fitore na përket të gjithëve", tha zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid nga pista e aeroportit të Kabulit. "Ne duam të kemi marrëdhënie të mira me SHBA dhe botën. Ne mirëpresim marrëdhënie të mira diplomatike me të gjithë", shtoi ai, duke e quajtur humbjen amerikane një "mësim për pushtuesit e tjerë".

Ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë nisur një kapitull "të ri" në lidhje me Afganistanin dhe i transferuan operacionet e tyre diplomatike në Katar. 

"Nga sot, ne kemi pezulluar praninë tonë diplomatike në Kabul dhe i kemi transferuar operacionet tona në Doha, Katar", tha Blinken.

Blinken tha se një numër i vogël qytetarësh amerikanë, "nën 200", mbetën në vend, por do të punohet për evakuimin e tyre.