Qeveria, përmes Ministrisë së Brendshme, duket se ka gjetur rrugën e sigurisë maksimale: vendosje kamerash në çdo pallat dhe bashkëpunim masiv me policinë. Një praktikë që shqiptarët e njohin e që mendohej se do ishte lënë pas, ndërkohë që konfirmon se zbulueshmëria dhe parandalimi kanë pika për të cilat vetëm flitet, por pak gjë bëhet. Sot ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, ka prezantuar projektligjin “Për disa masa shtesë të Sigurisë Publike” në të cilën parashikohen disa rregullime që mund të rezultojnë shumë problematike. Në nenin 4 parashikohet se subjektet private detyrohen të marrin masa shtesë sigurie, duke lehtësuar kështu punën e policisë, por duke shtuar disa kosto. Pavarësisht kësaj, një pikë problematike është ajo që parashikohet për sigurinë në banesa e përbashkëta. “Administratorët e ndërtesave të banimit, marrin masa shtesë sigurie, duke bashkëpunuar me Policinë e Shtetit, nisur nga vlerësimi i rrezikut që konstatohet në urbanistikën e pallatit, parkimet, depozitat e ujit, personat me precedentë kriminalë banorë apo qiramarrës”, thuhet në nenin 8. Po cilat janë këto masa? Ja se çfarë sugjeron projektligji: “Masat shtesë të sigurisë, janë: a. Përdorimi i sistemit të kamerave të tipit CCTV, me rezolucion të lartë, me rreze infra të kuqe, që ruajnë imazhet filmike në NRV/Server deri në 2 muaj. b. Përdorimi i pajisjeve elektronike të teknologjisë së lartë, për identifikimin, në funksion të sigurisë (detektorë, ura kontrolli, reader, GPS etj). c. Lidhje direkt të sinjalit për ruajtjen e objektit me sallat e komandimit / informacionit të Policisë së Shtetit. d. Përdorimi i Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF)”. Të gjitha kosto që paguhen nga qytetarët ndërkohë që paguajmë të gjithë edhe për policinë.

Në kushtet e një shtimi të tillë sigurie private, është e udhës që të zbriten disa shuma buxhetore për policinë, e cila shkarkohet kështu nga shumë angazhime. Ajo çfarë është edhe më vështirë e pranueshme dhe gati arbitrare është se vlerësimin e rrezikut e bën ministri i Brendshëm me udhëzim, duke krijuar kështu kushtet për të vendosur survejim masiv me një preferencë të një njeriu të vetëm. Më tej, me krijimin e këtyre kushteve shtesë të sigurisë, drejtoritë e policisë kanë të drejtën të lëshojnë çertifikatë sigurie. Projektligji synon të paralelizojë të drejtat e prokurorisë teksa bazuar në Kodin e Procedurës Penale i njeh policisë të drejtën e aksesit në të dhënat e krijuara, ndërkohë që kjo e drejtë sot, ekziston në rastet e një ngjarjeje apo hetimi. Po kështu neni 16 i lejon policisë të drejtën e inspektimit periodik dhe më e papritura, të drejtën e gjobitjes së subjekteve në rast të mospërpmbushjes së kritereve për sigurinë shtesë. Thuhet në nenin 17: “Për mosmarrjen e masave shtesë të sigurisë, kur kjo nuk përbën vepër penale, vendoset gjobë: a- për biznesin e madh, masa e gjobës është nga 50 mijë deri në 100 mije lekë. b- për biznesin e vogël masa e gjobës është nga 5 mijë deri ne 20 mijë. 2. Gjoba vendoset nga Policia Vendore 30 ditë nga njoftimi për marrjen e tyre. 3. Nëse pas 60 ditëve nga vendosja e gjobës, nuk përmbushen detyrimet e caktuara në këtë ligj, subjektit i hiqet Vërtetimi i Sigurisë. 4. Në rast se subjekti nuk përmbush detyrimet e përcaktuara në këtë ligj, Policia Vendore njofton zyrtarisht autoritetin përgjegjës për pezullimin/mbylljen e aktivitetit”. Me sa duket qeveria i njeh të drejtën vetes të veprojë me parimin bardh e zi: o me mua, o kundër meje.