Partia Demokratike e Lulzim Bashës po shfaqet përditë e më shumë në pozitën e dikujt që po do të marrë një notë kaluese dhe për këtë mund të thotë çdo gjë.

Për përjashtimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar, PD-ja ka vetëm një tezë: e kërkoi Amerika. Philip Reeker i paska shkuar në zyrë Lulzim Bashës dhe i ka vënë ultimatum. Kaq mjafton që PD-ja të marrë ujin e bekuar të Amerikës e me të të lajë fytyrën, duart, krahë e mullaqe për të mbrojtur atë që nuk mbrohet.

Fakti kurioz këtu është se për Berishën u investua Philip Reeker ndërkohë që thuajse në të njëjtën kohë presidenti Ilir Meta deklaronte se ambasadorja e SHBA në Tiranë, e kishte kërcënuar dhe shantazhuar me materiale kompromentuese.

Në fund kemi një lojë: amerikanë që sillen si gangsterë dhe viktimat e babëzisë në Tiranë.

Pjesë e këtij skenari manipulues të opinionit publik është edhe Sali Berisha që deklaron se Bashën amerikanët e shantazhuan se do ta shpallnin non grata.

Sot Enkelejd Aliebaj e tjerr më shumë lëmshin e budallallëkut teksa në një intervistë për “Ora News” “shpjegonte” se:

Në politikë je i detyruar që të marrësh vendime shumë të forta e të vështira, për të mbrojtur interesin më të madh.

Ne duhet të ruajmë aleancën historike me aleatin tonë strategjik që është SHBA. Prandaj kryetari i partisë nuk mund të shmanget nga vendime të tilla, të imponuara dhe të detyruara, sepse është në lojë edhe interesi i shqiptarëve. Sigurisht që është lënë e hapur edhe mundësia për ta bërë transparent atë vendim

Pra PD-ja, Lulzim Basha paska mbrojtur edhe interesin tonë! E beson kush këtë? Ka më qenie dykëmbëshe në Tokë që ta besojë një gjë të tillë?

Por edhe në qoftë kështu, PD-ja ka detyrimin të na thotë se pse SHBA kërkoi largimin imediat të Berishës? I është bërë një gjë e qartë z. Basha, apo thjesht mbi tryezë i është lënë një urdhër i padiskutueshëm pa sqarime? Do të ishte mjerim e kaluar mjerimit nëse një zyrtar amerikan nuk e sqaron kreun e një partie kryesore në Shqipëri sepse jepet ky urdhër.

Ne kemi sot një deklaratë, një akuzë ndaj ish-kryeministrit të vendit për korrupsion, korrupsion për të cilin z. Basha kërkon transparencë dhe pranon të mos dijë më shumë për këtë gjë por ta largojë një të zgjedhur vetëm e vetëm se kështu mendon dikush disa mijëra km larg. Ky vendim do të peshojë shumë në të ardhmen e PD-së që  duke pranuar të shumëzojë me zero logjikën e qëndrimeve publike, duke u mbrojtur tek absurdi i aleancës teorike me SHBA, po dëmton në themel angazhimin e saj drejt një parimi themelor si vullnetarizmi i partive dhe demokracia në to.