Romancieri tanzanian Abdulrazak Gurnah është fituesi i Nobelit të Letërsisë për vitin 2021.

Akademia Suedeze e vlerësoi Gurnah për "depërtimin e tij pa kompromis dhe të dhembshur në efektet e kolonializmit". Çmimi prestigjioz shpërblehet me 10 milionë korona suedeze (1.14 milion dollarë).

Gurnah është 73 vjeç dhe është autor i 10 romaneve, përfshirë “Parajsa” dhe “Braktisja”.

“Parajsa”, botuar në 1994, tregon historinë e një djali të rritur në Tanzani në fillim të shekullit XX dhe është vlerësuar me Çmimin Booker.

"Romanet e tij tërhiqen nga përshkrimet stereotipike dhe na hapin panoramën e një Afrike Lindore me larmi kulturash, të panjohur për shumë në pjesë të tjera të botës. Personazhet e tij e gjejnë veten në një kryqëzim midis kulturave dhe kontinenteve, midis një jete që ishte dhe një jete që po lind; është një gjendje e pasigurt që nuk mund të zgjidhet kurrë."

I lindur në Zanzibar në 1948, Gurnah mbërriti në Angli si refugjat në fund të viteve 1960.

Ai ka qenë profesor i Letërsive Angleze dhe Postkoloniale në Universitetin e Kent, Canterbury, deri sa doli në pension.

Gurnah bëhet kështu autori i parë afrikan me ngjyrë që fiton çmimin që nga Wole Soyinka në 1986.

Me Nobelin e Letërsisë që prej vitit 1901, kur çmimet u dhanë për herë të parë, janë nderuar emra si Ernest Hemingëay, Gabriel Garcia Marquez dhe Toni Morrison, poetë si Pablo Neruda, Joseph Brodsky dhe Rabindranath Tagore, dhe dramaturgë si Harold Pinter dhe Eugene O'Neill.

Ish-kryeministri britanik, Winston Churchill, fitoi Nobelin për kujtimet e tij, ndërsa Bertrand Russell është nderuar me këtë çmim për filozofinë dhe kantautori Bob Dylan për tekstet e tij.

Nobeli i vitit të kaluar iu dha poetes amerikane Louise Gluck.