Kursi europian i Ballkanit Perëndimor mund të prapakthehet. I këtij mendimi është ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, i cili gjatë një konference për shtyp me homolgun e tij slloven, Anže Logar ka vënë në dukje nevojën e një investimi maksimal nga Europa në ruajtjen e ritmit të procesit të integrimit.

Për fat të keq duhet t’i bie alarmit. Kursi europian i Ballkanit Perëndimor mund të prapakthehet. Dhe për këtë arsye ne duhet të bëjmë përpjekjet maksimale pasi ekziston përherë rreziku që Ballkani Perëndimor të rrëshqasë pas, më lejoni ta them, në të shkuarën e tij ballkanike. Dhe është shumë e rëndësishme që Sllovenia, e cila aktualisht mban Presidencën e BE-së është e ndërgjegjshme për këtë sfidë madhore

ka thënë Dendias.

Sipas tij ka një përpjekje nga aktorë jo europianë që po përpiqen ta nxjerrin Ballkanin Perëndimor nga Europa.

Ka fuqi që janë të angazhuara në Ballkanin Perëndimor nga Europa duke ofruar të ashtuquajturën ndihmë zhvillimi, avantazhe shkëmbimi, bashkëpunim ushtarak dhe deri edhe bashkpëunim në fushën e arsimi përmes institucioneve që predikojnë më shumë në favor të Vëllazërisë Myslimane dhe më pak për një kuadër arsimor modern europian

ka vijuar ministri i Greqisë.

Aludimi i Dendias shkon për Turqinë, një vend që ka investuar shumë për të konkuruar narrativën europiane në Ballkan, duke depërtuar me mjete diplomatike, ekonomike, por edhe duke shfrytëzuar lidhjet historiko-fetare.