“Nëse partia PS dhe LSI në zgjedhjet e ardhshme do të bëjnë një qeveri me Ilir Metën kryeministër do ta votoj me kënaqësinë më të madhe, s’ka asnjë problem”. Kjo është një nga përgjigjet e Koço Kokëdhimës për Ylli Rakipin në intervistën e djeshme në emisionin “Të Paekspozuarit”. Kokëdhima është më shumë sesa një deputet i thjeshtë: ai është menaxheri i karrierës së Edi Ramës në kalimin nga bashkia në PS. Ai është një ndër njerëzit me ndikim, që këmbënguli edhe në vitin 2009 për aleancën PS-LSI, kur Ilir Meta nuk kishte këto rekorde korrupsioni që ka sot. Kokëdhima, bashkë me disa të tjerë në PS-, ishte ndër njerëzit kryesorë që mbështetën Edi Ramën pas humbjes së zgjedhjeve të 2009-ës, kur ky i fundit jepte dorëheqjen një herë në dy orë, derisa kllapia e dështimit për shkak të tij, doli me një tur protestash dhe akuzën se “Saliu kishte vjedhur zgjedhjet”. Për rrjedhojë, bashkë me ndikimin e Kokëdhimës në marrëveshjen e 1 prillit, më tepër në mbështetjen dhe promovimin, sesa në arritjen e saj, ky qëndrim do marrë si një nga opsionet politike reale në axhendën e ekipit drejtues socialist për të mbajtur pushtetin. Pa LSI-në është e qartë se socialistët nuk i fitojnë dot zgjedhjet, sikurse një koalicion me PD-në është një kartë teorike e cila në dritën e funksionimit të koalicionit të tanishëm, është thuajse e pamundur. Riciklimi i Ilir Metës në vitin 2013, nga shumë apologjetë të marrëveshjes së bashkëpunimit me të, u gjykua si një hap taktik i domosdoshëm për të hequr Sali Berishën nga pushteti. Por edhe për të siguruar socialistët e shumtë dhe të tjerët nga frika e përballjes me të, apo edhe nga apatia e një votimi të kotë, nëse perceptimi për rotacionin do të ishte minimal.

Por sot jemi diçka më shumë se dy vjet e gjysmë nga këto manovra politike; Sali Berisha është drejtues efektiv i një opozite ende jo efektive, e vetëizoluar në kritikë permanente dhe në denoncime që përndryshe bëhen përditë edhe nga media. Një opozitë pa program, pa fizionominë e një ekipi që diktohet se është në gjendje të qeverisë dhe pa distancimin nga zullumet e qeverisë së shkuar. E megjithatë, deklarata e Kokëdhimës aktualizon një rol cilësisht të ri për Ilir Metën dhe LSI-në, duke e konvertuar elementin taktik në alternativë ekzistenciale për suksesin e kësaj mazhorance. Numrat i kthen në qëllim, për të hedhur pas krahëve një histori dhune dhe tensioni që do të duhej të mbante distancën e duhur, të paktën morale mes të dy palëve. Për të bërë thuajse nul të famshmen reformë në drejtësi, atë të vërtetën, sa kohë imunizon vetë një subjekt të procesve penale dhe akuzave të rënda.

Sot Meta merr në tryezë një fitore në paradhënie, me vota socialistësh, sidomos vota të tilla, duke qëndruar si ikonë në piramidën e një suksesi, të ndërtuar nga ekonomia e krimit, nga korrupsioni, dredhia, poshtërimi i rivalit, gjithë si një proces ku socialistët dhe shqiptarët kanë humbur dhe po humbasin një mjedis politik disi të qytetëruar, siç ka qenë shpresa për PS-në, kundrejt garancive të errëta që jep një sekt, apo një organizatë e paemeër siç është LSI. Kjo është padyshim epitoma e kancerit të sistemit, të cilën Rilindja e famshme, po kërkon jo ta operojë siç deklaron vërdallë kryeministri, por të shesë si vaksinë dhe antitrup ndaj “historisë së tranzicionit dhe ëndrrës së keqe me emrin Sali Berisha”.

Ky lakuriqësim total moral, krahas kaosit vendimmarrës, mungesës së një programi minimal ekonomik dhe mosnjohjes gati fatale të tregut shqiptar, realitetit ekonomik në vendin tonë, janë shenja të dorëzimit pa kushte të Rilindësve. Kritikat si ato të Astrit Patozit dhe Ben Blushit në Parlament, ku ngrihet shqetësimi për të varfrit dhe për korrupsionin, gjejnë legjitimitet të plotë në realitetin për të cilin është përgjegjës vetëm qeveria e sotme. Një qeveri e cila nuk do të dëgjojë dhe as ka vullnet të adoptojë një tjetër qasje ndaj problemeve, qasje që do të kërkonte operimin e saj, ndryshimin në përfaqësim, rigjenerimin. Impulset e reja për të cilat foili Ilir Meta. Ndryshimi nuk është kapitullim. Kapitullim është t’u thuash shqiptarëve se ne kemi për ju Ilir Metën. Tingëllon cinike, por do të ishte gjithsesi ngushëlluese, nëse ky dorëzim tek Ilir Meta është pasojë e paaftësisë së Edi Ramës, e dukshme gjiithandej, sesa të dalë dikur se ishte pazari i Lalzit. Pasi nëse kjo qeverisje me radhë, është tallja më e madhe që mund të jetë bërë me qytetarët shqiptarë të cilët sot kanë mundësinë të shohin dhe të dëgjojnë vetë se Edi Rama dhe shokët e tij guximtarë, nuk kanë se çfarë t’u ofrojnë në vitin 2017 përvecse Ilir Metën.

Apo mos vallë po kërkojnë ritubimin e të vetëve me emrin e Metës kryeministër?  Mbetet për t’u parë sa do të provohet teza Kokëdhima, por nga 2013-a në 2017-ën janë katër vjet dhe në fund të këtij mandati asgjë, përpos dështimit, nuk e justifikon një votë të dytë për këtë pocaqisje në politikë që po kushton jo pak.