Një ditë më parë Alfred Peza në rolin e "tellallit" partiak të Partisë së re Socialiste tha se Lulzim Basha duhet të bindë ata që nuk e duan brenda Partisë Demokratike. Eshte një informacion që nuk e ndan vetëm selia e e partisë në pushtet, por janë të shumtë zërat që konfirmojnë një klimë përçarje në Partinë Demokratike. Pas Eduard Selamit që deklaroi se lidershipi i opozitës nuk frymëzon, edhe Arben Imami, një nga zërat e rëndësishëm të Partisë Demokratike, thotë se shqiptarët nuk shohin shpresë as tek opozita. Në një intervistë për gazetën Panorama, Imami shprehet se përgjegjësia është e të gjithëve në opozitë, jo vetëm e Bashës. “Kur vendi është pa shpresë, siç është ky vend, sigurisht që përgjegjësia më e madhe është e atyre që qeverisin, por duke qenë edhe zgjedhjet larg, që është një faktor objekti, duket se qyetarët shqiptarë nuk shohin një shpresë të afërt edhe tek opozita. Dhe kjo nuk është çështje vetëm e Lulzim Bashës, as e Eduard Selamit. Është çështje e të gjithëve ne.Në këtë kuptim edhe në këtë raport, të gjithë kemi një përgjegjësi”, thotë Imami. Ativizimi i zërave kundër Lulzim Bashës duket një aksion i kordinuar që ka si regjisor Sali Berishën, i cili duket se është interesuar për dështimin e protestës së 8 dhjetorit dhe dobësimin e pozitave të Lulzim Bashës në PD.