Shtetet e Bashkuara janë kujdesur të përcjellin një mesazh në Ditën Kombëtare të Rinisë, duke i njohur meritat për tranzicionin demokratik edhe ish-funksionarëve të guximshëm të Partisë së Punës. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry në emër të Presidentit Obama thotë se ky tranzicion historik është mbeshtetur nga udhëheqësit e lëvizjes studentore, është përforcuar nga qytetarët që marshuan dhe demonstruan kundër diktaturës dhe është ndihmuar nga ish-anëtarët e guximshëm të partisë, të cilët ndihmuan në vendosjen e sundimit popullor.
“Me këtë rast, ne njohim përparimet e mëdha që Shqipëria ka bërë në këtë çerek shekulli. Sot, Shqipëria është një aleat i NATO-s dhe kontribues për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Shqipëria, është në rrugën drejt integrimit të plotë euro-atlantik, duke bërë reformat e nevojshme për të forcuar institucionet e saj demokratike dhe per të zhvilluar një ekonomi konkurruese të tregut të lirë”, vlerëson shefi i diplomacisë amerikane.
“Shtetet e Bashkuara vlerësojne miqësinë e ngrohtë me qeverinë dhe popullin shqiptar dhe shikojnë në të ardhmen thellimin e këtij partneriteti”, ka shtuar Kerry.