“250 mijë votues të majtë nuk janë të kënaqur me punën e qeverisë për të cilën votuan para dy vjetësh”. Kështu vlerësohet të ketë ndikuar pushteti i tanishëm mbi votuesit e vet(http://www.respublica.al/2015/12/10/protesta-mund-ta-ketë-thelluar-përkrahjen-për-opozitën-por-jo-zgjeruar), mbi një çerek milioni prej tyre. Janë një çerek milioni prej 1 miliona shuplakave që i sosën ditët pushtetit të Sali Berishës. 250 mijë votues që nuk është se kanë ndërmend të votojnë për PD-në apo domosdoshmërisht të rrëzojnë mazhorancën aktuale nga pushteti, por janë 250 mijë vota që kanë rrëzuar kryeministrin e tanishëm. Konicidencë ose jo, ironi ose jo, 250 mijë vota mori edhe LSI-ja në zgjedhjet e fundit lokale dhe parë kështu, i bie që kryeministri e ka humbur aleatin e vet në qeverisje dhe qëndron në karrige i vetëm.

Që kryeministri ka rënë në besimin e njerëzve kjo ndihet dhe shifra e mësipërme, për aq sa mund t’i besojmë, provon si mesazh direkt pikërisht këtë: Edi Rama i tanishëm nuk e ka të drejtën të qeverisë Shqipërinë. Nuk ka as të drejtën që të drejtojë të majtët e PS-së. Vjen pra në vështrim nevoja për konfirmim të dyfishtë. Për ta bërë më të pranueshme këtë po i referohemi traditës së Partisë Socialiste, e cila është më e plotë dhe më e çmuar se përvoja e Edi Ramës, pavarësisht se ai “është njeriu më i përkushtuar”, siç tha Gramoz Ruçi para ca ditësh.

Tradita e PS-së, ajo qeverisëse, na jep shembullin e ndarjes së pushtetit dhe marrjes së përgjegjësive. Ndarje, pasi nga viti 1997 e mbrapa ajo qeverisi me aleatë edhe kur nuk kishte nevojë. Përgjegjësi pasi në situata delikate dhe të ngarkuara, ata që drejtonin kanë ditur dhe janë dëshmuar të gatshëm që të hapin procesin politik për zgjidhje politike. Gjithnjë me parimin se pushteti nuk ka pse të lidhet me një njeri vetëm. Fatos Nano, Pandeli Majko dhe Ilir Meta e provojnë këtë gjë më së miri.

Sot kemi një klimë të rënduar psikologjike, një ekonomi në amulli të plotë nga kaosi administrativ dhe ligjor që është imponuar, një kryeministër gati tekanjoz, i cili me modelin e vet është më afër Sali Berishës sesa PS-së. Një njeri që ka shpërfillur edhe institucionet e partisë që e solli në pushtet e që qeveris me shkokët e vet. Ky eksperiment, që u pranua në fillim i detyruar, është maturuar në dështimin e vet.

Tradita e institucioneve të PS-së këtë vlerë do të kishte: rotacionin në drejtim, përderisa verifikohen dështime të qarta. Mundet edhe të shtyhet kështu deri në 2017-ën, por deri atëherë PS-ja e dikurshme do të ketë humbur pa nam e pa nishan. Pushtetin do ta kenë mjelë ato pak duar që e kontrollojnë, e që do të jenë në gjendje pastaj të blejnë edhe të ardhmen e saj. Njësoj si Berisha që e lidhi të ardhmen e PD-së me të ardhmen e vet, edhe Edi Rama, po e lidh të ardhmen e PS-së me të rrugën e vet politike, e cila është DËSHTIM. Të paktën në qeverisjen e vendit. Në greminën ku po shkon symbyllur ka vetëm një të fituar: Ilir Meta. Sot janë 250 mijë. Nesër do të jenë më shumë, sepse dështimi i Edi Ramës dhe këtij ekipi është vetëm e vetëm përgjegjësi e tij. Fusha ka qenë bosh. Jo më kot deri më tani të gjithë janë tallur me opozitën.