Çfarë na provon rasti i gjobës që Bashkia e Tiranës i vuri kryetarit të PD-së për dëmet në protestë? Na provon se shteti funksionon. Se nëna Shqipëri, njësoj si në filmin e njohur, u ka dhënë bijve më të mirë, zemërimin ndaj Berishës si shpatë dhe...ti dalim Zot kësaj pune.

Po të jetë për aksione të kësaj natyre, Erjon Veliaj është i pari. Nuk e bën për t’u dukur. Të mos tregohemi dashakeqë. Është instinkti i brendshëm i njeriut që jeton me hologramën e Shqipërisë së të ardhmes, maket i ëndrrave të tij.  

Një luftëtar i vërtetë, një borizan i ndryshimit. Dhe betejat nuk janë të pakta. Beteja më e fuqishme, ishte beteja e Erjonit me Dashnorët. Me Dashnorët e Zhulit siç i pagëzoi vetë ata që ndotnin Tiranën. Ja kemi falur edhe idenë që na vodhi me bojën hidrofobike, sepse siç thoshte Napoleoni “në arritjen e një fitoreje nuk ka moral”. Dhe reduktimi i pompimit urinar në hapësira publike është një fitore e cila thuhet se e ka bërë Sajmir Tahirin aq keq, saqë ka urdhëruar që policët e krimeve që rrinë civilë, të urinojnë fshehurazi.

Por le ta njohim të vërtetën. Erjoni ngjan me Napoleonin. Historia e jetës së tij duam të themi.

Loni ishte nga Korsika, toger. Me dy qitje topi në Tulon dhe me vendosjen e duhur, ra në sy. Kohë krize, u ngrit. Ka disa, mes të cilëve edhe ne, që thonë se gjërat janë të shkruara. Se njeriu sado të përpiqet, ajo që do të ndodhë, ka për të ndodhur. Një predeterminizëm të cilin e luftojmë për t’i dhënë kuptim vetes si subjekte. Se Napoleoni lindi i tillë nuk u bë. Kështu edhe Erjoni. Të kujtojmë historinë e tij si shitës fiqsh. Nuk ka asgjë për të qeshur. Fiku është shok i mirë në kohë krize, se nuk ka nevojë as të lahet. Por këtu, pra te fiku, do parë çelësi i karrierës së Erjonit. Dhe gafa me gjobën, pra llogaritja gabim, fallsifikimi e gjithë ai vargu i mrrokullave që bëri të dhiten me lot të gjithë në Tiranë, lidhet me Fikun.

Imagjinoni Erjonin e vogël me quka që mban një tezgë fiqsh, ndoshta të vjedhur, të cilët i zë shiu dhe janë me krimba. Erjoni nuk di gjë dhe i shet për fiq të mirë. Një klient që e hap fikun e sheh dhe ia vërvit turinjve: "Shko mor pizeveng. Do na e hedhë bytha jote".

Dhe fiqtë e mbetur, shitësi i vogël i Tiranës së varfër të viteve ’90, i ha vetë. Por këtu vihet në punë mekanizmi i fatit. Te diarreja që pason do kërkuar iluminimi, shkaku i largimit nga ky vagabondazh proletaro-mikroborgjez. Purtha e fiqve të krimbur është pikërisht shkëndija e atij predeterminizmit që përmendëm pak më lart. Që e çon Njonin në “Drejtimin e duhur”. Këtu e ka fjalën edhe vetë kryetari kur e tregon si histori. Imagjinoni sikur një trill i fatit, a një rastësi e keqe, ta kishte shtyrë Erin të merrej me tregëti vezësh. Do ishte bërë patjetër grosist vezësh sot dhe ne do ishim jetimë në avenirin tonë si shoqëri. Se vezën e ble njeriu, nuk ka si e sheh brenda dhe Erjonëve që shesin nuk u duhet as të lodhen për ta bërë këtë gjë. Ndaj edhe gjoba, që llogaritet e analizohet, të kujton fikun dhe klientin që e hap ta provojë. Dakord, kohë për të mësuar ka. Patjetër, por të vjen mirë teksa kupton se kur Edi, kryeministri, thotë nëpër botë se “Shqipëria është vend interesant”, me siguri e ka edhe për fiqtë e Erjonit dhe diarrenë gazore që pason te të gjithë. Një klizëm e domosdoshme kjo e fundit, për të gjithë ne si shoqëri, që Eri të nisë betejën e jetës së tij: atë me Snuksat. Me cinikët. Thoni pastaj që nuk është e shkruar!

Shaptilografisti