Korrupsioni dhe ndikimi politik janë shkaqet kryesore që nxisin informalitetin në Shqipëri.Ky është një ndër përfundimet e anketës së zhvilluar nga Sekretariati i Këshillit të Investimeve te 100 biznese, ku u evidentuan problematikat dhe sfidat kryesore për një reformë të qëndrueshme dhe të suksesshme ndaj informalitetit. Më tej arsyet e tjera të perceptuara nga sipërmarrja private lidhen me taksat e larta, qendrueshmëria e ligjeve, konkurrenca e pandershme etj.

Monitor raporton se rreth 67% e bizneseve pranojnë se informaliteti është kosto dhe jo për fitim, por megjithatë ka ende shumë vështirësi në treg që pengojnë formalizimin. Ndër më kryesorët janë sistemi tatimor dhe niveli i punonjësve tatimorë, aksesi në financim si dhe qëndrueshmëria e reformave që ndërmerren.

Sekretariati i Investimeve ngriti disa kërkesa dhe rekomandime për qeverinë, ku ndër më të rëndësishmit është hartimi sa më parë i një strategjie afatgjatë për të luftuar informalitetin.Anketa nxjerr në pah vlerësimet për klimën e të bërit biznes në Shqipëri dhe faktorët që e rëndojnë atë.Kompanitë rendisin si faktorët kryesorë pengues për të zhvilluar aktivitete kreditimin nga bankat dhe taksat e larta.

Sipërmarrja private e anketuar ka bërë disa sugjerime për qeverinë sesi mund të reduktojë informalitetin, nga të cilat: zbatimi i ligjeve, ulja e taksave dhe thjeshtimi i proçedurave, janë tre elementët ku sipas biznesit qeveria duhet të ndërhyjë.