Presidenti amerikan Joe Biden ka patur dje një ditë të lumtur politike miratimi dypalësh në Kongres, teksa fjalimi i tij është pritur me ovacione. Zoti Biden ka folur për ringritjen e Amerikës dhe afirmimin e saj në rolin e lidershipit global, diçka që ngjan si një simptomë ezauruese që ta jep temperatura 37.5 gradë.

Në betejën mes demokracisë dhe autokracisë, demokracitë po ngrihen në këtë moment

ka thënë Biden.

Historia nuk fal dhe as diskriminon përderisa i përfshin palaçot në regjistrin e saj. Ky është po ai njeri që iku nga sytë këmbët në Afganistan duke u lënë pushtetin talebanëve, për të cilët sot ka heshtje, ndërkohë që presidentin e Rusisë e quan një diktator.

Lidershipi global do pyetur: pse një çështje është pjesë e shqetësimeve të Amerikës dhe tjetra Jo? Me siguri që z. Biden do e këtë një përgjigje.

Ajo çfarë po ndodh është një déjà vu, e asaj Amerike që në fund i flet vetes dhe i tregon përrallën që do.

Aktualisht është e qartë edhe për ata që nuk duan të kenë sy se Amerika dështoi në menaxhimin e momentumit të lirisë që u krijua me rënien e bllokut sovjetik, të cilin e shfrytëzoi për të bërë luftëra jashtë vendit dhe shkatërruar vende e kombe. Iraku, Afganistani, Siria, Venezuela, janë episode tragjike të faktit se një i sapoardhur në histori mund të provokojë sizmikë katastrofike në raporte që janë shekullore.

Është një i sapoardhur që tenton të rikualifikojë edhe normat e identitetit duke sugjeruar leksionin ekskluziv të demokracisë ashtu siç e mendon ai vetë.

Përfundimi është më tragjik nga sa mendohej: nëse Lufta e Ftohtë dhe Totalitarizmat e shtypën lirinë edhe në emër të një vizioni futurist të aplikuar me represion, ato në finale nuk bënë gjë tjetër veçse e afirmuan nevojën e saj.

Amerika me promovimin e demokracisë sipas vizionit të saj, në aleancë të hapur me korrupsionin në shkallë globale, nuk bëri gjë tjetër veçse e diskreditoi Lirinë dhe demokracinë, sepse i asocioi ato me invazionin, me shpërbërjen e vlerave të brendshme të vendeve dhe me një lloj stanjacioni të amballazhuar në litaninë retorike të përfaqësuesve më të denjë të kundërvlerave të demokracisë. Mjafton të shohim kush janë njerëzit e saj në Shqipëri për të parë mirë se cila është politika e saj.

Jo çdo dhunë është diktatoriale, sikundër jo çdo denoncim i dhunës është tregues demokracie. Lufta në parim është diçka shumë e keqe, por z. Biden dhe zëdhënësit e tij në botë, nuk mund të shtiren sot si themeluesit e një kishe të re, si kolonë entuziastë të një Bote të Re, për faktin se Amerika nuk është më e virgjër. Ajo është përgjegjësja direkte për botën e sotme, ose të paktën për situatën e sotme në botë dhe ajo nuk e ka më kredencialin e një force të së mirës. Sado të pozojë si e tillë.