Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i ka dhënë një intervistë gazetës “Dita”. Moisiu komenton zhvillimet politike, sjell diçka nga përvoja e tij dhe e cilëson qeverisjen aktuale në përgjithësi të mirë. Ish-presidenti vlerëson edhe ligjin për dekriminalizimin për të cilin ka bërë këtë koment: “Kam mendimin se ligji për dekriminalizimin që sapo u miratua, nëse partitë kanë vendosur për ta zbatuar ndershmërisht, do të ndihmojë së tepërmi për të përmirësuar përzgjedhjen e kandidaturave. Por kjo kërkon edhe një ndryshim në kod, ku kryetarëve të partive t’iu hiqet e drejta të vendosin për listat. Gjithashtu gjykoj, se për të shmangur monopolin e partive tradicionale në parlament, që tani në Evropë po shihet si tendencë, është mirë që në parlament të ketë sa më shumë parti.
Kjo do të shmangte kufizimin për pjesëmarrjen e njerëzve jo militantë dhe intelektualëve që për arsye të ndryshme nuk bëjnë pjesë në dy partitë kryesore, si dhe do të zbuste së tepërmi klimën politike në vend. Në këtë rast është rreziku që mund të rritet pak mungesa e stabilitetit politik, por në të njëjtën kohë do të rritet siguria, për të mos lejuar devijime nga rregullsia kryesore e demokracisë”, thotë Moisu. Një sugjerim jo i keq nisur nga fakti se ka patur shpesh kritika për monopolizimin e vendimmarrjes për kandidatët.