Damian Gjiknuri, ministër i Energjetikës, inicioi sot një padi penale për disa ish-ministra të qeverisjes së PD-së, që sipas tij kanë favorizuar në privatizimin e realizuar prej CEZ(http://www.respublica.al/2015/12/28/gjiknuri-çon-për-ndjekje-penale-3-i…). Dhe këta ministra apo zyrtarë janë të gjithë përfaqësues të Partisë Demokratike, që sipas konstatimeve të Gjiknurit me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë qenë pjesë e privatizimit të OSSH-së nga CEZ “që është një nga proceset më abuzive të kryera nga Qeveria Berisha”. “Në raportin e auditimit thuhet se privatizimi ka qenë i parakohshëm, në kundërshtim të hapur me aktet ligjore e nënligjore në fuqi dhe me praktikat më të mira të privatizimit në sektorët strategjikë, me elementë të pastër favorizues dhe të shkeljes së barazisë në tendera”, dokumenton Gjiknuri. Çfarë bie në sy në këtë lëvizje thuajse komike të ministrit në fjalë? Bie në sy se ai është vetëm instrumenti, por edhe i interesuar në një lojë politike që synon të kompensojë sadopak akuzën shumë të rëndë që Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka bërë Damian Gjiknurit dhe më tej, kryeministrit Edi Rama, për shkelje me faturë dëmi 479 milionë euro, në lidhjen e Mrrëveshjes së Mirëkuptimit me kompaninë CEZ, si kuadër për largimin e kësaj nga Shqipëria. Sot Gjiknuri, ose ndryshe ministri që hyri në histori sipas Edi Ramës, nxjerr auditimin me dëm po 400 milionë euro, për të kërkuar nga prokuroria hetim për disa ministra të qeverisë “Berisha”. Bie në sy po ashtu fakti se asnjë prej përfaqësuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që kanë mbuluar Energjetikën, nuk përfshihet në padinë e ministrit, ndonëse kanë qenë disa dhe gjatë debateve për aferën CEZ, LSI-ja shfaqej po aq dendur sa Sali Berisha dhe ministrat e tij. Kanë qenë Dritan Prifti, Ilir Meta, Naço etjj. Pa folur për armatën e nënpunësve dhe tenderat. Aspekti i tretë është se kjo lëvizje dëshmon frikë për hetimin eventual që mund të hapë Prokuroria për kallëzimin e KLSh-së, të cilin ndonëse juristi Gjiknuri, e cilësoi politik, sërish ai bashkë me kryeministrin, u shfaqën të dobët dhe duket se diçka fshehin. Le të kujtojmë se Gjiknuri menjëherë sapo u akuzua, doli në Parlament dhe deklaroi se marrëveshja ishte votuar në Parlament. Mazhoranca aktuale, PS-ja votë kundër dhe LSI abstenim, refuzoi hetimin ndërkombëtar për aferën CEZ, për objektin e të cilit opozita ra dakord që të përfshihej edhe privatizimi i OSSH-së, duke pretenduar se “ne kemi kapacitet për hetime vetë”. Të njëjtën gjë deklaroi edhe prokurori i Përgjithshëm, një njeri i afërt me Ilir Metën, që sot kontrollon qeverinë. Thënë kjo, kalibrimi i hetimit drejt disa ministrave të qeverisë “Berisha” është një selektim në goditje që kërkon të neglizhojë apo anashkalojë aspektin më korruptiv të asaj qeverie, e që me gojën e përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së e ka emrin: LSI. Mund të pyetet: a ka shpresë që këta lloj politikanësh të kenë vërtet vullnet për reformë në drejtësi? A mund të besohet se kjo mënyrë të vepruari e një kryeministri është ajo e një njeriu që ka vullnet për të realizuar vërtetë atë pastrim për të cilin bërtet me të madhe nga mëngjesi deri në darkë? Qartazi jo.