Para disa ditësh, Shenasi Rama, bashkë me dy kolegë të tjerë, njoftuan mundësinë e krijimit të një partie të re, cilësuar prej tyre si një alternativë ideologjike. Në parim nuk ka asgjë të keqe dhe për t’u komentuar negativisht në këtë inciativë: kupa është mbushur dhe patjetër që kërkohen ide dhe rrugë të tjera për vendin. Ndaj kësaj iniciative të ndërmarrë nga një njeri që ka qenë pjesë e zhvillimeve të dhjetorit ’90, po rritet vëmendja në media dhe me këtë rast duhet thënë se, në ndryshim nga iniciativa të tjera, asaj nuk po i mbyllen dyert. Zhvillimi i aktiviteteve të ndryshme në ndonjë universitet shtetëror e provon këtë gjë, në një vend ku po të flasim me parametrat retorikë të Shenasi Ramës: “Paria vigjilon mbi gjithçka”. Lëvizja, për nga ajo çfarë artikulon, mënyra si operon, koha e hyrjes në veprim si dhe pasoja politike e perceptueshme mund të shihet në tri aspekte:

Së pari, “Rrethi i Ferrit” i Shenasi Ramës artikulon si ideologji shtetin komb, i cili sipas tyre nuk realizohet pikërisht për shkak të interesave të Parisë. “Ne jemi këtu si një forum intelektual që kërkojmë të ofrojmë një diagnozë të gjendjes politike në të cilën ndodhet shteti dhe kombi shqiptar. Ne ofrojmë gjithashtu një alternativë politike e cila gjendet në të gjithë librat tanë. Është një program i mirëfilltë politik... Detyra jonë si intelektual, si njerëz me integritet moral, të cilët e ndiejnë thellë nevojën e shërbimit publik, është që të dalim e t’i themi të drejtën popullit shqiptar”, tha Rama në “Tonight” të Ilva Tares.

Duke injoruar këtu rrethana të tjera, apo faktin se mund të ketë shumë shqiptarë të palidhur me Parinë që preferojnë zgjidhje të tjera më civile,  dhe duke marrë për një moment se ky nacionalizëm nuk është instrumental, po pranojmë për një moment se ai është parimor dhe objektiv strategjik i lëvizjes.  Rrjedhimisht, premisa dhe adresimi i lëvizjes shkon djathtas. Ajo përbën pra një lëvizje që kërkon të rritet djathtas, sadoqë ligjërimi i mëshon idesë së një të tëre. Dhe kur themi djathtas, termat “Pari” dhe shtet komb, synojnë subversionin ndaj mashtrimit të asaj që sipas Ramës me shokë është pseudo e djathtë. Në këto terma ka folur dikur edhe PD-ja, edhe PR-ja, Aleanca Kuq e Zi, por edhe partia e ish-presidentit Bamir Topi.

Këtu vijmë te momenti i dytë: pasoja politike e mundshme e kësaj lëvizjeje dhe koha e hyrjes në veprim. Kushtet e një lëvizjeje të re siç thamë janë pjekur, por parë në raport me zhvillimin politik të Shqipërisë, një lëvizje e re djathtas, realizohet kur mazhoranca e majtë është diskredituar deri në pikën, sa në pushtet e mban akoma vetëm imazhi dhe ngarkesa e figurës së Sali Berishës që qëndron tek e djathta. Po kështu këto ditë, ka paralajmëruar shkëputjen nga koalicioni qeverisës edhe Bamir Topi, një aleat afatgjatë i Edi Ramës. “Jemi siç kemi qenë”, tha Topi, duke apeluar për protesta. Shikoni se çfarë thotë Shenasi Rama në “Tonight”: “Ajo që ne bëjmë dhe kërkojmë mirëkuptim nga ju dhe të tjerët, shprehet më së miri me një krahasim dhe krahasimi është i tillë. Njeriu që konstrukton avionin, nuk fluturon me atë avion. Duhet të jetë piloti ta bëjë atë punë”. Mund të duket spekulative, por ka një koherencë në lëvizjen “ikëse” nga pushteti të Bamir Topit dhe nevojës për një “pilot” që artikulon Shenasi Rama. Dhe siç thotë ky i fundit: “Askush nuk mund ta parashikojë të ardhmen”, por të gjithë kemi të drejtën të çojmë nëpër mend eventualitetin e zhvillimeve të këtilla. Pasi në politikë ka strategji, por edhe taktikë.

Dhe taktikisht, mund të lexojmë se operimi i Shenasi Ramës dhe forumit të drejtuar prej tij, ka një vijë të qartë. Rama operon prej kohësh në publicistikë, që është paradhoma, e pse jo shpesh drejtuese e mendimit politik, me dy mite: Idealizimi i lëvizjes së dhjetorit ’90 dhe miti i një Parie të Katovicës që kontrollon gjithçka.

Sikurse mund ta marrim me mend të dyja janë të rrejshme. Miti i idealeve të dhjetorit ’90 përgënjeshtrohet nga fakti i gjithëpranuar se lëvizja studentore nisi si fillim si lëvizje për disa kërkesa me natyrë ekonomike. Një provë paraprake e saj, por që u mbyll në mënyrë aksidentale u provua në universitetin mjekësor që në shtator ’90. Kështu që të flasësh për “ideale të tradhëtuara” në një grup studenëtësh, shumë prej të cilëve edhe kur flasin sot reflektojnë defiçenca të mëdha në formim teorik dhe në artikulimin e bazave të ndonjë programi, është diçka e ekzagjeruar. Lëvizja e studentëve ka meritën e inicimit të veprimit, pasi më vonë atë e morën në dorë ata që ishin më të kthjellët politikisht. Por edhe sikur të pranojmë tezën e Ramës, mund të pyesim: çfarë lloj idealistësh janë këta që braktisin pa luftuar idealet e tyre?

Miti tjetër, është ai i Parisë që pas Katovicës ka operuar me dosjet e Sigurimit dhe shantazhin përmes tyre. Që pushteti ka në natyrë forcën rigjeneruese, apo që kapërcimet e mëdha sociale shpesh riciklojnë figura që përndryshe do të duhet të ishin eliminuar, kjo është e vërtetë. Italia e pas Luftës së Dytë Botërore, Greqia e pas luftës së Dytë Botërore, por edhe përfshirja e nazistëve në aparatin shtetëror të Gjermanisë Perëndimore, janë shembuj se pushteti shërbehet me burime njerëzore të cilat në përdorimin praktik nuk i paragjykon siç bën në rastin e propagandës. Por kjo nuk do të thotë se pushteti konservon edhe tiparet e veta.

Për Shqipërinë mund të sjellim për ilustrim librin e Kastriot Dervishit për “Sigurimin e Shtetit”, ku gazetari në fjalë, ish-drejtor arkive në Ministrinë e Brendshme gjatë pushtetit 8-vjeçar të Sali Berishës, shkruan se deri në vitin 1951, qeveria komuniste përdori shumë njerëz të administratës që trashëgoi nga pushteti i vjetër.

Thënë kjo, nuk është çudi dhe nuk ka asgjë konspirative që edhe pushteti komunist i vitit ’90 të ketë patur përgatitje për ndonjë zhvillim. Por asnjë pushtet nuk përgatit largimin e vetes. Dhe asnjë pushtet nuk mund të ketë kontroll absolut. Ky është një leksion që na e mëson edhe Bibla.

Do të duhet të pranojmë se vetë pushteti komunist ishte i fragmentarizuar, me segmente të linjës së ashpër e disa të tjerë më të moderuar. Rrjedhimisht, elementi surprizë që krijon ritmi i ngjarjeve nuk e imunizon atë. Kur vjen puna te shantazhi me dosjet e Sigurimit, këtu Shenasi Rama, operon në mënyrë autoreferenciale. Edhe Sali Berisha fliste për dosjet, por si një nga pushtetarët kryesorë në Shqipëri, ai ka patur akses te to. Pyetja është e thjeshtë: mbi cilën dëshmi dokumentare,  apo provë, Rama, deklaron se “Paria” kontrollon përmes dosjeve të Sigurimit? Nëse kjo është thjeshtë një analizë politike, atëherë jemi në kushtet e një propagande si ajo për “sorrosianët”.

Këto momente kanë rëndësi, pasi lëvizja po prezantohet si diçka e re. Dhe një lëvizje e re do të duhet të shpallte transparencën si devizë: kur flitet për Parinë të flitet konkretisht. Kur flitet për Katovicën të tregohet dokumenti apo “organigrama” e saj, kur flitet për dosjet të na thuhen emra dhe fakte. Pasi jemi lodhur të gjithë me politikën si metaforë dhe si kalendar nënkuptimesh. Dhe kur flitet për parti politike, apo për “pilotë”, do të duhet, njësoj siç ndodh në Amerikën prej nga ku vjen ekipi i z. Rama: Të Zbardhen Fondet. Pasi paraja është çelësi. Natyrisht kohë ka ende.  

Në finale, ajo çfarë mbetet nga ky zhvillim është se tek e djathta shqiptare ka zhvillime që po synojnë të rigjallërojnë ideologjikisht një lloj konservatorizmi. Një zhvillim parimisht pozitiv, por që nuk mund t’i ikë efektit diversiv që krijon. PD-ja ndodhet aktualisht në një udhëkryq moral dhe programor: ajo nuk ofron ende asgjë reale, përveç forcës organizative dhe aftësinë diversioniste dhe prpagandistike që asiociohen me figurën e Sali Berishës. Dhe këto nuk janë për t’u nënvleftësuar përballë një qeverie të mekur dhe mbajtur peng nga Ilir Meta.

Në këtë kuadër lëvizja e Sh. Ramës është e mirëpritur nga PS-ja, pasi asgjë prej atyre që synon ajo, nuk prek rezervatin elektoral të së majtës. Sikur shpesh na e kujtojnë të gjithë, në një popull që jeton në keqkuptim madhor: Shumicë e majtë me elitë super të djathtë, çdo iniciativë e ngjashme, thjesht cenon derivatin dy të PPSH-së, PD-në. Pa prekur në themel sistemin që është ngritur. Një hollësi e vogël, që e “fsheh djallin”: Bashkëpunëtori i Sh. Ramës, Grid Rroji, reagoi me disa akuza ndaj një shkrimi të tij, edituar nga “Mapo” se “Rrethi i Ferrit” godet Metën dhe Berishën. Siç mund të pritej, kemi të bëjmë, deri më tani, me një lëvizje “brenda oborrit të Parisë”.

Re. po