Prokuroria shqiptare, në krye të së cilës qëndron Adriatik Llalla, ka shpërndarë sot një njoftim përmes të cilit njofton ristrukturimin e njësisë antikorrupsion.  “Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka vendosur ristrukturimin e Njësisë Task-Force për Antikorrupsionin në Prokurorinë për Krime të Rënda, për shkak të përfundimit të periudhës së komandimit të katër prokurorëve të atashuar pranë saj në muajin Shtator 2015, si edhe për faktin se ngarkesa e kësaj njësie nuk ka qenë e lartë, pasi nuk ka pasur referime për korrupsionin në radhët e zyrtarëve të nivelit të lartë gjatë muajve të fundit nga institucionet e ngarkuara me ligj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë që shton se “prokurorët që u komanduan pranë kësaj njësie, do të rikthehen në pozicionet e tyre të mëparshme”(http://www.gazetatema.net/web/2016/01/05/adriatik-llalla-ristrukturon-n…). Nuk dihet edhe aq mirë se me cilat "algoritme" funksionon Prokuroria shqiptare, por për pohimin se “ngarkesa e kësaj njësie nuk ka qenë e lartë, pasi nuk ka pasur referime për korrupsionin në radhët e zyrtarëve të nivelit të lartë gjatë muajve të fundit nga institucionet e ngarkuara me ligj”, do të mjaftonte të sillej në vëmendje raporti i KLSH-së për aferën e CEZ-it. Bëhet fjalë për 472 milionë euro për të cilat organi në fjalë akuzon se janë falur. Ndoshta ky hyn te krimet e rënda, por natyrisht pas akuzës për falje të një sasie kaq të madhe parash, një organ hetimor do të duhet të mendojë se ka eventualisht edhe korrupsion përveç “arsyeve shtetërore”.  Po kështu, propozimet për reformën në Drejtësi i mëshojnë idesë së krijimit të një strukture të posaçme antikorrupsion pranë Prokurorisë, nën mbikëqyrje të një misioni ndërkombëtar. Ndaj kjo lëvizje e Llallës merr kuptimin e një kundërmase, si për të deklaruar se investime të tilla janë të panevojshme. Me siguri dikush po ka frikë.