Mediat kanë rëndësi të veçantë në edukimin, mësimin dhe kultivimin e sjelljeve te fëmijët. Por, përmbajtja e mediave tona, veçanërisht e atyre vizuale, është plot kiç dhe shund. Këtu dëshiroj të nënvizoj një fenomen që është i stërmbushur me shumë elemente pedofilie. Ky prodhim mediatik është duke u keqpërdorur nga disa regjisorë televiziv dhe organizatorë të ”festivaleve të kulturës”, si në Tiranë e po ashtu edhe në Kosovë.

Është fjala për seksualizmin e fëmijëve tanë nga pedofilia “jonë” televizive. Gati përherë, kur e hapim televizionin dhe kur ndjekim ndonjë festival të këngës për fëmijë, do të mbesim syhapur dhe të brengosur me pamjet që na ofrohen neve, konsumuesve dhe prindërve: fëmijët tanë, të veshur dhe të shminkuar si aktore erotike e pornografike; çupat tona 3, 4, 5, 6, 7 vjeçe të shfrytëzuara nga pedofilët parafitues.

A është e mundur kjo?

Duke u nisur nga shumë teori të shkencave të mediave, duhet të themi se këto xhirime dhe fotografi erotike me fëmijët (çupat) tanë duhet të rishikohen dhe të pastrohen sa më parë. Shfaqjet e çupave 12-vjeçare me rroba provokuese dhe më lëvizje e qëndrime erotike, që aludojnë në femrat e rritura dhe në top-modele, nuk janë asgjë tjetër pos instrumentalizim/shpërdorim i fëmijës.
Është jo etike dhe moralisht e pambrojtur që mediat të transportojnë në pubik këto fotografi seksuale. Përkundrazi, këtu, për ta evituar këtë problematikë mediatike dhe degjeneruese të shoqërisë sonë do të duhej të bëhej një marrëveshje dhe bashkëpunim i qartë ndërmjet prodhuesve, konsumuesve, institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve dhe psikologëve.
Shkurt e shqip: çupëzat e njoma nuk do të duhej të lejohej që të shfaqen si ”porno yje”. Trevjeçaret duhet të lirohen nga presioni i seksit, presion që u bëhet nga regjisorët shkurtëpamës televiziv dhe nga organizatorët e shumë festivaleve dhe emisioneve televizive. Katërvjeçaret janë aq të vockla për t’u veshur me rroba që mund t’i takosh vetëm në ”shitoret erotike” të Perëndimit. Pesëvjeçaret janë aq fëmijërore sa që këto do të duhej të luanin me kukulla para se të ngjyroseshin me kozmetikën dhe me grimin e një të rriture.
Andaj, është nevojë e ngutshme e kohës që të zgjohemi dhe të vështrojmë me një kritikë më serioze dhe më të thellë dhe ta ndalojmë pedofilinë mediatike me fëmijët tanë.

Shumë psikologë gjermanë pohojnë se një numër jashtëzakonisht i madh i nënave nuk dëshirojnë që t’i shohin vajzat e tyre si instrumente seksi dhe erotike. Ato nuk i duan shikimet e padjallëzuara të fëmijëve të tyre, shikime sikur duan të thonë: ”Oh, eja e më puth, se më dogje”.
Ky është shfrytëzim dhe diskriminim. Fëmijët nuk i kuptojnë se çfarë imitojnë dhe së çfarë do të thotë imitimi i një këngëtareje të rritur me kërthizë në fushë, me karmin në buzë dhe, mbi të gjitha, me kërcim dhe “striptiz” erotik, duke tentuar t’i imitojnë këngëtaret e rritura.

Ndikimi i të rinjve dhe i fëmijëve nga mediat është një temë e rëndësishme. Këtij problemi social e kombëtar duhet kushtuar një vëmendje të veçantë, si nga ambienti politik, po ashtu edhe nga të gjitha fushat që luftojnë për mbrojtjen e fëmijëve.
Por kjo nuk është e lehtë, veçanërisht jo në Prishtinë. Pushteti, i cili ka zaptuar mediat publike, është tmerrësisht i interesuar që të prodhoj sa më shumë kulturë erotikë dhe poronografi publike.

Si është e mundur kjo, të nderuar lexues?
E bënë këtë, “pushteti ynë” sepse, me këto prodhime erotike e pornografike është më e lehtë të kontrollosh dëshirat, epshet dhe vëmendjen e masave të gjëra. Sunduesit shqiptarë të Prishtinës, duke përdorur ndjenjat, dhe më pak logjikën, në prodhimet e tyre mediatike, duan të formësojnë e të prodhojnë “qytetarin aktiv” që shiqon, kënaqet dhe masturbon para televizionit publik (erotik), e, në anën tjetër, ky sundues, dëshiron të ketë sa më pak, mundësisht sa më pak, qytetarë aktiv e logjik që kritkojnë dhe nuk durojnë pornografizimin e familjes, ekonomisë, edukimit, kulturës dhe politikës shqiptare.