Duket se kriza e shërbimeve shtetërore nuk ka për të mbaruar ndonjëherë në këtë vend. Para disa muajsh u bë i njohur vendimi për rinovimin e një kategorie pasaportash për fëmijë, të cilat ishin shtypur me afat të gabuar. Ministria e Brendshme e shtyu afatin me 1 vit, por sërish ishin qytetarët që paguan për dëmin e krijuar nga shteti. Në këtë fund viti, qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë u përballën me probleme në doganat shqiptare pikërisht për këtë problem. Sot “Vizion Plus” raporton për një tjetër radhë që krijohet nga ndryshimi në dokumentacion. Bëhet fjalë për ndryshimin e kartës së shëndetit që do të jetë me format të ri. “Qendrat shëndetësore te Tiranës prej ditësh po përballen me fluksin e banorëve për të zëvendësuar librezën e shëndetit me formatin e ri. Qytetarët shpesh irritohen për pritjet në radhë dhe problemet me rrjetin. Nëse kompjuteri punon normalisht dhe qytetari e ka të plotë dokumentacionin, koha e nxjerrjes së kartës nuk i kalon 3 minuta. Pas 1 majit, te gjithë qytetarët shqiptare duhet të pajisjen me kartën e re të shëndetit, e cila për momentin është vetëm mjet identifikues për të marrë shërbimet mjekësore në poliklinika dhe spitale. Për të përballuar fluksin e madh të qytetarëve, fondi i sigurimit shëndetësor ka shtuar sportelet në poliklinika dhe po punohet me turne”, raporton VP.