Partia Demokratike përplaset edhe me misionin EURALIUS të Bashkimit Evropian, i cili asiston Shqipërinë për reformat në fushën e drejtësisë.
“Rilindja Demokratike”, organi zyrtar i PD-së shkruan se në një “rast unikal në historinë e këtyre 10 viteve të fundit, ky mision ka vendosur të mos i japë të drejtën e fjalës opozitës”.
“Euralius ka ftuar dy nga përfaqësuesit e opozitës që të jenë të pranishëm në këtë takim të rëndësishëm, por nuk ka pranuar që ata të kenë të drejtën e fjalës”, thuhet më tej.
“RD” shkruan se në axhendën e takimit të sotëm të Euralius, janë parashikuar të flasin shefi i Misionit Euralius, Deville, qmbasadorja e BE në Tiranë, Vllahutin, ministri i Drejtësisë, Manjani, kreu i Komisionit të Ligjeve, Xhafa si dhe kryetari i Gjykatës së Lartë, Zaganjori dhe Kryeprokurori, Llalla.
“Të befasuar nga një axhendë e tillë përjashtuese për opozitën, përfaqësuesit e PD i kanë kërkuar zyrtarisht dje Misionit Euralius që të ndryshohej axhenda në funksion të dialogut dhe bashkëpunimit”, vijon n RD-ja.
Përgjigja që ka mbërritur nga ky Mision, sipas organit zyrtar të PD-së, “ka qenë përçmuese dhe aspak në etikën e një institucioni, i cili duhet të ishte mbi palët politike në vend”.
“Ne axhendën nuk e ndryshojmë, por ju hajdeni një herë dhe pastaj nga fundi mund t’ua japim fjalën”, ka qenë përgjigja e përfaqësuesit zyrtar të Euralius, sipas të RD-së