Sot në debatin për reformën në drejtësi, deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, i është përgjigjur qëndrimit të deputetit të Partisë Socialiste, Pandeli Majko, për idenë e referendumit për reformën në drejtësi. Sipas tij, kjo gjë është e pamundur, pasi në referendum duhet të marrin pjesë jo më pak se 2 milionë e ca votues. “Ju e dini se në zgjedhjet tona marrin pjesë vetem 1 milion e gjysmë zgjedhës dhe këto idetë e referendumit janë maskime dhe ballo me maska,” tha Ristani.

Ish-kryetari i KQZ-së duket se e paska harruar Kodin Zgjedhor, sipas të cilit, në referendum konsiderohet fituese alternativa që ka fituar shumicën e votave të vlefshme, por jo më pak se 1/3 e numrit të zgjedhësve të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Zgjedhësve. Me fjalë të tjera, kur rreth 1.1 milion votues votojnë pro alternativës amenduese të kushtetutës. Ndërsa për ta kundërshtuar një amendim të bërë nga 2/3 e Kuvendit, duhet të votojnë kundër amendimit në referendum kundërshtues më shumë se 50% e zgjedhësve të regjistruar (rreth 1.65 milion).

Ndërsa krytari i PD-së Basha deklaroi se referendumi është një ide e shkëlqyer. “Referendumi e ka emrin zgjedhje të parakohshme” – theksoi ai. Por juristi Basha ka harruar se Kodi Zgjedhor nuk lejon zhvillimin e referendumit në një kohë me zgjedhjet – si të kohshme dhe të parakohshme.