U solidarizua gjithë bota perëndimore me satiriken franceze “Charlie Hebdo” pas 7 janarit të vitit të shkuar kur redaksia e saj u sulmua nga disa persona të armatosur të cilësuar si terroristë islamikë. Kësaj radhe, në një vjetorin e saj, gazeta satirike ka provoluar jo pak kur me anë të një karikature i jepte një rol  prej agresori seksual Aylan Kurdi, fëmijës sirian që u gjet i mbytur në birgjet e Turqisë, e pamja e të cilit bëri xhiron e botës. Karikatura sugjeron se Kurdi kur të rritej do të ishte si një nga ata imigrantët që sulmuan femrat në Këln. Një karikaturë që në këtë rast ngjan se ripërtyp në emër të humorit një klishe ndaj imigrantëve dhe myslimanëve. Gjithsesi ajo ka provokuar dhe nuk ka kaluar pa vëmendje. Mediat sjellin në vëmendje reagimin e mbretëreshës së Jordanisë, Rania, e cila ka publikuar disa skica grafike ku i jep Kurdi të ndjerë një të ardhme si doktor apo mësues. Pra të një qytetari normal. Situata e sikletshme e tendos edhe më shumë fillin e hollë mes të drejtës së fjalës, humorit dhe fyerjes apo lëndimit të shumëkujt. Pasi edhe në rastin e humorit kërkohet të ruhet etika, e cila meqenëse tingëllon si fjalë e madhe, mund të zëvendësohet me humanizmin jo si përjetim, se atë nuk mund ta kërkosh, por si mesatarizim kulturor. Mund të thuhet se kështu po negociojmë të drejta duke u fshehur pas hipokrizisë. Ndoshta, por nëse do të supozojmë se pas kësaj karikature Hebdo mund të pësojë një thyerje xhamash në redaksi, është disi e vështirë që solidarizimi të jetë i njëjti.