Rexhep Mejdani është një nga të emëruarit në Këshillin e të Urtëve të Partisë Socialiste, strukturë që mesa duket se u ngrit vetëm për të mënjanuar disa figura nga vendimarrja politike, pasi që prej themelimit është një strukturë inaktive. Në një intervistë për “Koha Jonë” ai flet për një Parti Socialiste të shpërfytyruar dhe pajtohet me shqetësimet e deputetit Blushi.

“Duhet theksuar se ngjyrosjen e një partie nuk e bën kolori i simboleve të saj apo flamuri, as modifikimet por përmbajtja reale e programit të saj politik dhe në mënyrë të veçantë zbatimi konkret I këtij program në qeverisje.

Parë me këtë sy, PS-ja e sotme nuk dihet çfarë është. Mbështetet tek blloku, por e ironizon atë. Ushqehet nga paraja(biznesi), por dhe e parelelizon atë ose e godet.As “ngjyra” e saj nuk merret vesh. Prandaj dhe Blushi ka të drejtë që shqetësohet dhe reagon për këtë amalgam aktuale shikimi, veprimi e sjelljeje, shpesh edhe me kalime pindarike të çuditshme, ku edhe respekti i dokumenteve bazë partiakë është thjesht çështje humori”-thekson Mejdani.

E vetmja rrugë për reformën në drejtësi është konsensusi, por që të ketë sukses sipas tij duhet të shoqërohet edhe me reforma statuore të partive politike që do të kufizonin mandatin e kryetarëve të forcave politike.

“Një nga rrugët më të pranueshme për të gjithë mund të ishte që gjithçka e miratuar me consensus në reformën në drejtësi të futej në fuqi dhe të zbatohej në parlamentin e ardhshëm dhe qeverisjen e përftuar prej tij, ku me siguri do të ketë balanca të tjera shumë më pak imponuese nga të sotmet. Po ashtu për të reformuar më tej drejtësinë, duhet reformuar në radhë të parë vetë politika. Madje një rrugëzgjidhje më e thjeshtë mbetet ajo e fillimeve të tranzicionit, kur vetë kryetarët e këtyre strukturave kishin një mandate tepër të kufizuar. Kjo vlen sot për partitë kryesore pikërisht për të mos lejuar shndërrimin e kryetarëve në monarkë të partive, të cilët, më tej në qeverisje janë sjellë e sillen si autokratë tipikë.”-shprehet Mejdani.