Në një fjalë të shkurtër gjatë analizës së punës në Prokurorinë e Gjirokastër, kryeprokurori Adriatik LLalla i quajti fantazi të mediave publikimet për lidhje të kultivuesve te drogës në Lazarat me ISIS. “Në asnjë rast, nga hetimet e prokurorisë nuk kanë rezultuar që këta persona të jenë përfshirë në vepra të tjera penale të lidhura me terrorizmin, siç u pretendua fillimisht në disa agjenci mediatike periferike shqiptare, nga të cilat kanë marrë indicjen më pas edhe disa media ndërkombëtare. Lajme për lidhjen e lëndës narkotike të prodhura në Lazarat, por edhe në zona të tjera të vendit, me terroristët e të ashtëquajturit shteti islamik janë tërësisht prodhim i fantazisë dhe pa asnjë bazë reale”-theksoi Llalla

Kreu i Prokurorisë pranoi se kultivimi i kanabisit ekziston në disa zona të tjera të qarkut Gjirokastër, raste për të cilat tha se janë në proçes hetimi. Ai tërhoqi vëmendjen që prokurorët të mos neglizhojnë rastet e korrupsionit në dogana.

“Në këtë rajon gjeografik gjenden disa pika doganore, të cilat shtojnë mundësinë e veprave penale të kontrabandës dhe korrupsionit. Kërkohet nga drejtuesit në radhë të parë dhe nga të gjithë prokurorët e tjerë që të vlerësojnë çdo indicje për të nisur hetimet edhe kryesisht, në ato raste kur vlerësohet e nevojshm”-u shpreh Llalla.