Për reformën në drejtësi dhe zhvillimet politike në vend ka folur sot edhe ambasadorja holandeze në Shqipëri, Dewi van de Weerd, e cila i ka dhënë një intervistë Ilva Tares. De Weerd ka vënë theksin te reforma që duhet sipas saj të jetë një produkt shqiptar, duke nënvizuar se mosmiratimi i saj do të kishte pasoja. “Mendoj se populli juaj do të vuajë shumë sepse çdo shqiptar që takoj, mendoj që 97% e shqiptarëve janë të bindur që gjykatësit janë të korruptuar. Mendoj se e para është që njerëzit do të vuajnë shumë, kjo është e keqja e shumë gjërave dhe për ekonominë, për njerëzit që nuk do e kenë të mundur të gjejnë të drejtën nëse e kërkojnë dhe sigurisht do të jetë shumëkeq për procesin e integrimit europian”, tha ajo. Sistemi i drejtësisë është kështu në vëmendjen e të gjithë aktorëve që e cilësojnë atë pengesën kryesore për ecjen para të vendit. Holanda mban aktualisht presidencën e radhës të BE-së.