Kush është Pandeli Majko? Ja një pyetje që mundet ta bëjë shumë mirë një i ri kushdo, sapo të shohë Pandin në televizor. Koha ikën shpejt dhe ajo e dënon njeriun me harresë. Koha, por jo Facebook. Sot Pandi, që ka do kohë që ushtrohet me nacionalizmë, e ndonjëherë edhe me neoshqiptarizmë, shkruan një dedikim për Arbën Xhaferrin. “Gëzuar Ditëlindjen Arbën Xhaferi. Na mungon or mik si pak të tjerë, duke qenë i pranishëm me mospraninë tënde. Na mungojnë zëri yt i avashtë dhe shkrepëtima e mendimit tënd racional. Gëzuar ditëlindjen rilindasi i fundit i popullit tim”(http://www.syri.net/2016/01/24/majko-shkurorezon-edi-ramen-arben-xhafer…). Të kapin lotët kur e lexon. Të kap tërbimi kur e krahason këtë soletë dixhitale patriotike me ulërimat e qytetarit dixhital.

Por dale, mendoje pak më thellë. Pse Pandit i mungon Arbën Xhaferri, kur në Grup Parlamentar ka deputetë të mençur plot? Ka shokun Gramoz, shokun Namik, sa për të përmendur dy. Pa folur për të rinjtë minus Të Nëntëmbëdhjetët. I mungon sepse i mencuri, patrioti, siç është Pandi, gjen ngushëllim dhe shpresë tek i mençuri i vërtetë. Pandit i mungon një mentor, një mësues. Ai që qëndron sipër të tjerëve, a perceptohet si i tillë. Por që të shkosh deri aty do bërë një përpjekje, do thënë diçka, do ngritur zëri, do kërkuar, reaguar, shkruajtur, protestuar. Dhe Pandi mundësitë i ka boll të mëdha. Por ç’e do! Asnjë nuk është si Arbëni, ndaj nuk ja vlen. Më mirë një sy gjumë në Parlament, e qameti ndonjë ngritje vetulle e ndonjë “ironi”. Më mirë politikan, se kështu flet edhe me heshtje. Sa për të tjerat: “Të shohim çfarë do të bëhet”. “Kot e kemi Facebook”?