Shkrimtari Balil Gjini shkruan sot në gazetën “Mapo” për disa zhvillime në Berat që kanë për autor kryesor kryetarin e bashkisë Petrit Sinaj(opinioni i plotë: http://www.respublica.al/2016/01/26/kafka-pas-luleve).

Gjini merr shkak nga një rast i shkarkimit nga puna të disa punonjësve për të ngritur në shkrim probleme më të thella, ose më mirë, që kanë arsye më të thella e që e kanë përshkruar Shqipërinë përgjatë këtij 25 vjeçari. “Rasti në fjalë, është pikërisht ai gur arrogance i hedhur mbi dëborën e indiferencës sonë shoqërore vite e vite më parë, por që gjatë rrugës, duke mos gjetur diga t’i presin hovin, është bërë ortek i madh, duke shkallmuar gjithçka i ka dalë përpara: norma, rregulla, tarbiete, gjersa ka ardhur ky çast kur të gjithë ngremë shuplakat e duarve përpjetë si flamuj të bardhë falimentimi...Zogu i interesave të tij është një harabel fushe, që fluturon ulët dhe i mjaftojnë koçekët me misër të katundit dhe… krushqia me Metën...Ushtritë visigote kur kalonin rrugës varnin nëpër pemë kë t’iu dilte përpara. Kështu duhet kuptuar edhe numri i madh i të shkarkuarve nga Petrit Sinaj. Këta të shkarkuar, në njëfarë mënyre, duhet t’i përfytyrojmë si kurbanë të varur në pemët e parkut të Beratit, që me pamjen e tyre duhet të lebetitin këdo që kërkon të bëzajë, të kritikojë bashkinë, apo administratën”, shkruan Gjini. Kjo për të kuptuar fshesën e hekurt bashkiako-lsiste të cilën secili e ndjen në qytetin e vet, por që humbet pas tamatameve të thirrjeve për reforma në qytetin e përbashkët televiziv.

Burimi i këtij mekanizmi thuajse shfarrosës për çdo qelizë të limfës sociale? E thjeshtë fare: katundarizmi që merr në dorë torbën e pushtetit. Ja sesi e lexon Gjini sinajadën e Beratit: “Siç mund të shihet, kjo “mundet” ecën në asfaltin e këtij ligjërimi me dy paterica nën sqetull, sepse kryetari i bashkisë s’është nga ato qenie që blegërijnë të lumtura tek oborri i partisë. Jo. Është aty për të tjera “punë”. Një nga këto “punë” është të shkulë me gjithë rrënjë qytetarët e këtij qyteti, ata që s’votuan për të. Ai të kujton mbretin e Indisë Tunglaku, për të cilin na flet Canetti, i cili vendosi që qytetin e Delfit ta bënte gërmadha. Ta bënte sepse banorët e tij i hidhnin letra ku e shanin dhe e mallkonin. Në vend të tyre solli banorë nga qytetet e tjera, ashtu siç kërkon të bëjë kryetari i bashkisë, duke e populluar Beratin me fshatarë. Duke i dëbuar të tjerët, vjen çasti magjik i të qenurit i vetmi, ëndrra ogurzezë e të gjithë sundimtarëve. Dhuna është hakmarrja e trupit mbi mendjen, e bishës mbi të qytetëruarin. Kryetari i bashkisë, duke ardhur nga një bashkësi fetare, duhej të shfaqte frymën dhe mistikën e kësaj bashkësie, pra blegërimën e butë të qengjit të humbur të kopesë, dhe jo hungërimat e bishës, të vinte drejt njerëzve që e votuan me gjërat e buta të qytetërimit (pupla, pendë, mëndafsh) dhe jo me gjërat e vrazhda të barbarisë (zhguaj, kthetra, thonj)”. E lexuar kështu, si novela e një qyteti, mund të thuhet se punët qenka keq në Berat.