Francesco Becchetti ka nisur lojërat juridike me Shqipërinë me qeverinë e së cilës ka konflikt të hapur për aktivitetin e tij sipërmarrës. “Reporter.al” shkruan se binzesmeni me origjinë italiane ka paditur Shqipërinë në Gjykatën e Strasburgut pasi sipas tij, deklarimet publike të kryeministrit të vendit, Edi Rama, përmes të cilave ai akuzon Becchettin, shkelin parimin kushtetues të prezumimit të pafajësisë. “Padia e ngritur nga Becchetti është depozituar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg me 21 tetor 2015 dhe i është komunikuar qeverisë shqiptare në 12 janar.  Padia i referohet një serie deklaratash publike të bëra nga kryeministri Edi Rama në media dhe rrjete sociale në qershor 2015 në lidhje me çështjen penale të ngritur në Tiranë kundër biznesmenit italian. Nga deklaratat e Ramës mbi procedimin penal të ngritur nga Prokuroria e Tiranës, padia e Becchetit në GJNED veçon një postim të kryeministrit në Tëitter me 9 qershor, si dhe tre intervista të mëvonshme televizive në Vizion Plus, A1 Report dhe TV Klan. Padia në Strasburg ka si aplikantë përveç Beçhettit  edhe të ëmën e tij Liliana Condomitti, ortakun e tij Mauro de Renzis, si dhe financieren e kompanisë “Agon Set”, Erjona Troplini. Të katër aplikantët pretendojnë që deklaratat e Ramës bien ndesh me nenin 6 të Konvetës Europiane për të Drejtat e Njeriut që i referohet prezumimit të pafajësisë”, raporton “reporter.al”. Ndërkohë Beçhetti ka ngritur dy padi në arbitrazh kundër qeverisë shqiptare si dhe një ankimim tjetër në Strasburg për mospërfshirjen e “Agon Channel” në tenderin për licencat e frekuencave dixhitale nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, i njohur gjithashtu si Beauty Contest.

http://www.reporter.al/becchetti-padit-shqiperine-ne-strasburg-per-dekl…