Sot televizioni kombëtar “Klan” raportonte për vonesat e krijuara në doganën e Kukësit, si pasojë e procedurave të skanimit, një shërbimi i dhënë me konçesion në kohën e qeverisë Berisha. Nisur nga kjo situatë dhe nga deklarimet e ndryshme të njerëzve, TvKlan konkludon se praktikat e zvarritura të konçesionarit, po vënë në pikëpyetje vlerën e vetë rrugës Durrës-Kukës, e cila si aspekt kryesor pozitiv ka pikërisht shkurtimin e kohës mes Kosovës e Shqipërisë. “Mbi 1 miliardë euro investim për të shkurtuar distancën me Kosovën dhe lehtësuar lëvizjen si të njerëzve, ashtu dhe të mallrave nga të dyja anët e kufirit, nuk po i shërbejnë qëllimit për të cilin u projektua apo ndërtua “Rruga e Kombit”. Autostrada ka shkurtuar ndjeshëm distancat, por lëvizjen e lirë e pengojnë procedurat e skanimit në doganën e Kukësit, që zgjasin me orë të tëra. Drejtues kamionësh thonë se presin deri në 12 orë pët të kryer skanimin e ngarkesave, duke humbur jo vetëm kohë, por edhe aksesin në tregje. Mungesa e infrastrukturës të përshtatur në proces dhe pozicioni aktual i skanerit krijoi kaos në lëvizjen e mjeteve”, raporton Tv Klan.