Ambasada ruse në Tiranë ka organizuar një pritje dje, me rastin e Ditës së Diplomatit. Ambasadori Aleksandër Karpushin foli për miqësinë mes dy popujve dhe bashkëpunimin në rritje mes të dy vendeve. Ndonëse Shqipëria prej shumë vitesh e sheh Rusinë ftohtë dhe mban një distancë në marrëdhëniet me të, një fakt, që dëshmon simpatinë që një pjesë e shqiptarëve kanë për rusët, nuk mund të anashkalohet: “Jemi të kënaqur me nivelin e lartë të bashkëpunimit tonë të vazhdueshëm humanitar dhe kulturor. Me shumë sukses në Shqipëri rregullisht zhvillohen koncertet e artistëve rusë dhe aktivitete me pjesëmarrjen e personaliteteve të kulturës ruse. Një fushë tjetër ku vazhdojmë të ecim përpara është fusha e arsimit. Mjafton të them që Shqipëria zë vendin e parë në Evropë për numrin e studentëve që studiojnë në universitetet e Rusisë me shpenzimet e shtetit tonë. Unë e di që shumë nga të pranishmit në këtë sallë dikur kanë përfituar nga kjo e drejtë”, tha ambasadori.