Vizita katër orëshe e John Kerryt në Tiranë, la pas një lajm të vetëm të trajtuar gjerësisht në mediat shqiptare dhe ato të huaja: Shqipëria do të pranojë edhe 2000 muxhahedinë të opozitës iraniane, ndonëse siç tha kryeministri shqiptar në prononcimin për shtyp “do t'i pranojmë por për këtë nuk folëm në bisedën me Sekretarin amerikan të Shtetit”. Vëmendja në këtë pikë dëshmon për atë se çfarë është realisht Lajm nga Shqipëria në ngjarje politike të këtij niveli. Të tjerat janë thjesht llogje të Tiranës politike.

Ky vendim për të pranuar refugjatë politikë iranianë, të cilët synojnë përmbysjen e regjimit aktual në Iran, e vendos marrëdhënien diplomatike mes Shqipërisë dhe vendit të njohur aziatik, në një pardoks. I cili mund të krahasohet vetëm me situatat e krijuara së fundmi në marrëdhëniet me Turqinë.

Raportet Iran- Shqipëri janë disi atipike. Irani ka ambasador rezident në Tiranë, ndërkohë që Shqipëria nuk ka rezident në Teheran. Irani investon në promovimin e kulturës së vet përmes disa revistave; nuk dihet nëse Tirana zyrtare bën ndonjë gjë të ngjashme në Iran. Në këto kushte vendimi për të pranuar refugjatë politikë do të duhet të sillte implikime në nivelin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve. Por asgjë e tillë nuk ndodh. Të paktën publikisht. Kjo situatë është e përsëritur dhe nëse e sheh nga një pikëpamje e reciprocitetit, mund të thuhet se Shqipëria po e fyen Iranin për të disatën herë. Ambasadori është i dërguar i kreut të një shteti te një kryetar shteti tjetër, ndaj çdo akt tjetër që pason politika subversive, të njohura si të tilla nga njëri prej shteteve, çon në tensionim. Po të kthehemi pas në kohë, në vitet 2011-2012, kur Shqipëria pranoi refugjatët e parë, u provokua e njëjta situatë. Media të ndryshme cituan deputetë iranianë që folën për “cenim të sigurisë në Shqipëri”( http://www.ncr-iran.org/en/ncri-statements/terrorism-fundamentalism/176…). Po kështu është folur për krijimin e një stacioni, apo rezidenture të shërbimit iranian në Tiranë, një lajm i paverifiueshëm.

Momenti më komik në këtë marrëdhënie, ishte deklarata e ish-kryeministrit Sali Berisha që në Jeruzalem e cilësoi ish-presidentin iranian, Ahmedinexhad, si Hitlerin e ri. Lidhur me këtë deklaratë krejt qesharake dhe të pavend për nga ajo çfarë Shqipëria përfaqëson, ish-ambasadori iranian në Tiranë, Ali Amouei, do të deklaronte në një intervistë për gazetën “Shekulli”: “Fatkeqësisht Zoti Berisha nën ndikimin e propagandës sioniste në vizitën e tij në tokat e pushtuara bëri disa deklarata që nuk përputhen me frymën që mbizotëron në marrëdhëniet midis dy popujve; atij iranian dhe atij shqiptar. Republika Islamike e Iranit duke mbajtur parasysh të shkuarën e marrëdhënieve miqësore dhe të qeta midis dy vendeve dhe duke ditur se disa prej fuqive kërkojnë të krijojnë tension mes Iranit dhe vendeve të tjera, parapëlqeu që reagimi ndaj këtyre deklaratave të bëhej nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe larg zhurmës së mediave. Natyrisht pak kohë më pas unë e kam shprehur pakënaqësinë e shtetit dhe popullit iranian në lidhje me këtë gjë”(https://arditrada.wordpress.com/2012/08/05/deklarata-e-berishes-per-ahm…). Siç mund të shihet komunikimi në rrugë diplomatike ka regjistruar ndonjë notë, por pa e bërë çështjen mediatike, pasi përndryshe do të merrej Shqipëria shumë seriozisht në një lojë, ku ajo është kukulla e të tjerëve.

Pak a shumë e njëjta gjë ndodhi me vizitën e fundit të presidentit turk Erdogan në Tiranë. Ky i fundit deklaroi publikisht se pasi kishte folur me “Edi Ramën dhe Bujar Nishanin”, kishte marrë garanci se autoritetet shqiptare do të dëbonin strukturat e financuara nga Fetullah Gylen, që nga Ankaraja njihet si shteti paralel, apk si strukturë terroriste. Pas dy ditësh, ministrja e Arsimit, Nikolla, deklaroi se nuk do të ketë asnjë masë, pasi shteti shqiptar nuk i njeh investimet e Gulentit si aktivitete me prapavijë terroriste. Mirëpo në një marrëdhënie normale të barabartësh, siç pretendojnë politikanët shqiptarë ku flasin për “aleancë strategjike”, ky kurs do të duhet të kishte reperkursione. Mirëpo siç shohim: asgjë nuk ndodh. Qëndrimi i fundit i Berishës, kur shkruan se “Turqia nuk mund te jetë pol kryesor për Shqipërinë”, apo se “po harrohet Italia” është qesharak nëse kujtojmë se dikur, kur Berisha ishte kryeministër, jepte leksione se përse shqiptarët dhe turqit janë vëllezër me njëri-tjetrin.

Kjo turbullirë dhe ky paradoks jep tagrin e vërtetë të politikës së jashtme shqiptare që aktualizohet nga paaftësia apo pamundësia për të marrë qëndrime. Tagrin e një politike çasti, me një pragmatizëm çantash dhe valixhesh, që e bëjnë Shqipërinë atë që është: një aneks, një korridor, apo një magazinë të raporteve ndërkombëtare. Vetëm kështu mund të shpjegohet shpërfillja e madhe ndaj drejtuesve në Tiranë që ropaten për një fotografi me bujtësin e radhës. Shpërfillje që identifikohet pastaj me humbjen e rëndësië së vendit në arenën ndërkombëtare, ku mund të luajë një rol më dinjitoz sesa ky i sotmi, i foto – diplomacisë.