Sot kreu i Kadastrës, Artan Lame, doli e u tha shqiptarëve të Shqipërisë, diçka shumë më të madhe sesa vetja e tij, apo detyra që mban. Nga Kavaja, ku Kadastra nuk ka problemin se i duhet të heqë drejtorin si në Vlorë p.sh, z. Lame ndër të tjera tha:

Neve garantojmë që me pronën nuk luhet më. Ama të gjithë ata që kanë vendosur dorë mbi ato arkiva, të gjitha organizmat zyrtare të këtij shteti kanë të drejtën e Zotit të vijnë dhe ti kontrollojnë, e të kërkojnë llogari

D.m.th u bë çfarë u bë iku, këtej e tutje ka rend. Sa herë e kemi dëgjuar ne këtë fillim të ri? Edhe në film ana është premtuar, por ja ku jemi duke dëgjuar Artanin e radhës që thotë se tani nisi një erë e re.

Z. Lame drejton një institucion ku janë regjistruar objekte me kate pa leje, që pastaj ndoshta legalizohen, shtesa e zgëqe, pastaj kulla në çfarëdo lloj vendi e kështu me radhë. Po ai regjistrues është dhe aty e çoi edhe fati edhe pasioni: te letrat e Lames është regjistruar tranzicioni shqiptar, që bëri të pasur e të varfër, zhvati e shqeu sa të mundej një vend që u la azat asqer sa për të kënaqur urinë e të sotmes. E çdo të sotmeje.

U mor një vend me tituj pronësie të krijuar nën atë që u quajt pushtim dhe po kemi një vend ku siguria juridike e pronës është një shaka që zyrtarizohet si e vërtetë praktike me koburen në dorë. Sikundër pasuria dhe pasurimi  në këtë vend nuk të japin kurrfarë gjëje nëse nuk e asocion me statusin dhe sjelljen e horrit. Shihni si sillen edhe policët e qarkullimit rrugor për ta kuptuar.

Dhe z. Lame e di këtë shumë mirë edhe pse nuk dihet për cilën arsye del e jep garanci që nuk i takojnë.

Me pronën nuk luhet më, - thotë Lamja. Çudi se këto ditë po qarkullon lajmi se parkut të Butrintit iu zbritën 800 hektarë, por ato ishin të askujt, sepse në fakt duke bërë e zhbërë letrat, ky vend i askujt nuk është. As I këtyre që sot kakarisin si të parët e vendit. Si tha dikush: Shqipëria mes Lindjes dhe Perëndimit ? Dakord, por shtëpia nuk bëhet në këmbët e urës.