Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka organizuar sot një takim në kujtim të ngjarjes së rëndë që në histori njihet si “Bomba në Ambasadën Sovjetike”. Ndodhur më 22 shkurt 1951, ajo çoi në pushkatim pa gjyq të 22 intelektualëve që u konsideruran si përgjegjës të saj dhe përfaqësues të një opozite. Koha provoi, qysh atëherë, se kjo ishte e pavërtetë dhe se në fakt pushkatimi i tyre bashkë me internimin dhe përndjekjen e familjeve është një ndër krimet më monstruoze të Diktaturës. Në fjalën e tij para përfaqësuesve të familjeve, të botës akademike, trupit dipomatik etj., Nishani deklaroi ndër të tjera se: “...Makabriteti që përkujtojmë sot vetvetiu të sjell ndërmend një çështje madhore: qasjen ndaj krimeve të së kaluarës diktatoriale. Qasjet janë nga më të ndryshmet. Ne e dimë se çfarë do bëjmë dhe e dimë se si do ta bëjmë. Natyrisht që nuk do merremi gjithë kohën me të kaluarën, se do ishte e tepërt dhe kontraproduktive. Nuk do merremi as gjithë kohën me të tashmen e të ardhmen, se nuk bën sens dhe do të ishte pa logjikë. Ajo që do bëjmë, mendoj unë dhe sa mundemi po e bëjmë, është së pari, të mos harrojmë. Të mos harrojmë se ciflat e asaj bombe inekzistente ende vrasin, ende gjakosin, ende ndotin...Të mos harrojmë por edhe të kuptojmë, se nuk ka të ardhme paqësore pa qartësuar dhe dënuar ligjërisht aktet kriminale të së kaluarës. Dhe kjo ngjarje, ky rast do të ishte në nderin e një shteti demokratik të përbënte aktin e parë dhe themeltar të një hetimi dhe dënimi dinjitoz”.

Nishani ka vlerësuar me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” familjet e 22 intelektualëve të pushkatuar në mesnatën e 26 shkurtit 1951, respektivisht familjarët e: Sabiha Kasimatit; Tefik Shehut; Jonuz Kacelit; Lluka Rashkoviçit; Thoma Katundit; Manush Peshkëpias; Hekuran Trokës; Myftar Jegenit; Anton Delhysës; Pandeli Novës; Pjerin Guraziut; Haki Kodrës; Gjon Temalit; Gafurr Jegenit; Zyhdi Herrit; Mehmet Ali Shkupit; Fadil Dizdarit; Ali Qorralliut; Niko Lezë; Petro Konomit; Qemal Kasoruhos dhe Reiz Selfos. 

 

http://president.al/?p=32033