Asnjë nga dy partitë e mëdha nuk komentoi draftin final të opinionit të Venecias për reformën në drejtësi. Çuditërisht të dyja selitë e kaluan në heshtje dokumentin që në një farë mënyre është pranuar nga palët si arbitri i reformës në drejtësi. Të dyja krahëve u ka interesuar heshtja dhe nuk përjashtohet mundësia që mes PS e PD të ketë patur një pakt për të mos  komentuar hë për hë opinionin e Komisionit të Venecias.  Mazhoranca e sheh veten të humbur nga drafti i Komisionit pasi, qëndrimet e saj për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe varësinë e Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk gjetën aprovimin e Venecias. Nga ana tjetër Partia Demokratike doli më e fituar pas fjalisë së raportit që specifikon se çdo formulë për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së duhet të ketë përfaqësimin ose ndikimin e opozitës. Megjithatë PD çuditërisht nuk e ka përdorur fitoren e Venecias, por debati është përqëndruar në raportet që do ketë partia më e madhe e opozitës me parlamentin. I pari që artikuloi si opsion dorëzimin e mandateve të deputetëve ishte ish-kryeministri Sali Berisha, por do të jetë grupi parlamentar i Partisë Demokratike që do të vendosë. Kreu i tij, Edi Paloka pranon se në PD ka një grup radikal që mbështet opsionet ekstreme. “Dorëzimi I mandateve të deputetëve është një opsion i hedhur edhe në mbledhjet e tjera të grupit parlamentar, siç pati propozime edhe më radikale. Sigurisht përballë një klike të tillë, me një regjim të zhyrur në krim e korrupsion, me një kryeministër injorant, arrogant e provokator, të gjitha opsionet për përmbysjen e tij janë të pranueshme dhe në këtë rast, dorëzimi i mandateve të deputetëve është vetëm fillimi”. http://www.balkanëeb.com/site/paloka-dorezimi-i-mandateve-te-deputeteve-vetem-fillimi/. Nëse PD do të vendosë dorëzimin e mandateve atëherë ka kuptim edhe heshtja që PD po mban për opinionin e Venecias, pasi reforma në drejtësi kalon në plan të dytë nëse opozita del jashtë parlamentit.