Tirana po zien nga diskutimet për ndërtimin te Parku i Liqenit Artificial, por qeveria nga ana tjetër, premton zëplotë, masa të reja ligjore për mbrojtjen e mjedisit. Gjatë punimeve të konferencës “Moratoriumi dhe rruga drejt zhvillimit të qëndrueshëm”, zv.kryeministri Niko Peleshi, ka bërë të ditur angazhimin e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e mjedisit: “Vetëm në 10 vitet e fundit janë shfrytëzuar pa kriter 200 mijë hektarë pyje. Nëse do të ecim me këtë ritëm shoqëria jonë për 15 vitet e ardhshme do ju lërë trashëgim brezave që vijnë një vend të zhveshur. Kjo konferencë do të piketojë rrugën e re të kthesës për të dalë nga kjo gjendje. Duhet bashkëpunim mes politikës qendrore dhe asaj vendore, por dhe shoqërisë civile, për të adresuar çështjet e mjedisit, që politika nuk i zgjidh dot kollaj”, tha Peleshi. Ngjan e pabesueshme por ky është zv.kryeministri që po flet dhe po pohon si problem, ato që vihen re edhe te ndërtimi aktual te Parku i Tiranës. Një ndërtim që është PA LEJE. “Shumë ekspertë iu dorëzuan tregut duke firmosur raporte mjedisore që nuk i besonin as vetë. Në 25 vjet, 400 mijë ndërtime pa leje mbinë në trupin e Shqipërisë dhe sot një shi i dobët shkakton përmbytje”, tha zv/kryeministri.

http://www.ata.gov.al/mbrojtja-e-mjedisit-peleshi-do-te-nderhyjme-ne-ko…