Prej dy ditësh mediat kryesore europiane kanë bërë të vetin një tezë të gjeneralit amerikan të NATO-s, Breedlove sipas të cilit refugjatët sirianë dhe ata afganë që po mësyjnë Europën, janë një armë destabiliziuese e Rusisë dhe Turqisë përkundrejt Europës. Në terren situata po zhvillohet disi më ndryshe: termi Europë dhe destabilizim po zhvendosen në Ballkan, ku po flitet për korridore, lëvizje dhe tensionim. Rruga e natyrshme e depërtimit jug veri, ajo Selanik – Shkup – Beograd – Vjenë është mbyllur si pasojë e politikës së Austrisë, e cila po kërkon të kthejë Ballkanin në një xhep refugjatës, për të parandaluar përmbytjen e saj. Ku qëndron Shqipëria në këtë zhvillim? Po t’i referohemi asaj që thotë qeveria, Shqipëria duket se është jashtë aksit të lëvizjes së refugjatëve, ndonëse e njëjta qeveri ka urdhëruar ngritjen e kampeve në Gjirokastër dhe Korçë për të pritur 10 mijë vetë. Greqia deklaroi sot se nuk mban do të më shumë sesa 150 mijë emigrantë, ndërkohë që pozita e Shqipërisë si valvul është lexuar në Greqi, që po bën presion për hapjen e rrugëve.

Në një opinion publikuar në gazetën greke “Kathimerini”, Evangelos Venetis, specialist në çështjet migratore shkruan se sado që të përpiqet qeveria shqiptare nuk e bllokon dot kufirin greko-shqiptar. Për vetë relievin gjeografik kjo është e pamundur, ndërkohë që askush nuk mund të ndalojë lëvizjen paqësore të popullsisë.

Me interes është theksimi i Venetis kur deklaron se hapja e korridorit shqiptar do t’i jepte fund politikë së Austrisë në këtë zonë(http://www.ekathimerini.com/206511/opinion/ekathimerini/comment/albania…). Ky është një skenar që nuk mund të përjashtohet dhe nëse ndodh që Shqipëria të hapë dyert, nuk është çudi që Greqia të nxisë lëvizjen drejt vendit tonë. I cili natyrisht është pikë kalimi drejt Europës, kësaj radhe nga deti për në Itali.

Ndërkohë një gazetë turke “Turkish Weekly”, pohon të kundërtën kur citon një zyrtar të BE-së në Tiranë, përfaqësuesin e Komitetit Social – Ekonomik, Ionut Sibian, të jetë shprehur se “Shqipëria nuk ka kushtet e nevojshme për të pritur refugjatë që vijnë nga zona të luftës si Siria dhe Iraku”. Sibian ka folur nga Shkodra dhe ka mbrojtur një pikëpamje austriake, nëse mund të themi kështu në këtë çështje: “Mendoj se askush nuk pret nga Ballkani Perëndimor të presë refugjatë nga vendet e Lindjes pasi buxheti dhe situata ekonomike nuk e lejon këtë gjë”, ka thënë Sibian(http://www.turkishweekly.net/2016/03/02/news/eu-official-albania-doesn-…).

A do të thotë kjo se BE-ja nuk do të japë ndihmë në rast se nis lëvizja drejt Shqipërisë? Qeveria shqiptare ka lënë të kuptohet për të kundërtën dhe ka një “garanci” atë austriake. Por në kushtet kur nuk ka më një politikë europiane në këtë drejtim është e qartë se të gjithë po udhëhiqen nga politika “për t’ja ngecur tjetrit”, siç sot po e heq në kurriz Greqia. Në çdo rast Europa nuk i ikën dot kësaj krize, as mundet ta izolojë atë në Ballkan.