Banka Botërore dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kanë propozuar një projektligj që parashikon sigurimin e posaçëm për sigurimin nga tërmetet dhe përmbytjet. Sigurimi do të jetë i detyrueshëm për të gjitha familjet shqiptare. “Ajo çka parashikon ky ligj është krijimi i një pool-i të përbashkët për sigurimin nga katastrofat.  Ky pool do të parashikojë primet dhe mënyrën se si do të arkëtohen primet si dhe do të parashikojë mënyrën se si do të dëmshpërblehet”, tha për “Top-Channel” Pajtim Melani, kryetar i bordit të AMF. Aplikohen disa kritere si për tërmetet ashtu edhe për përmbytje, si “për tërmete 5 ballë e lart dhe për përmbytjet parashikohet 504 orë reshje të vazhdueshme, ose 21 ditë”.

Struktura përgjegjëse do të jetë publike, me bord drejtorësh dhe këshill mbikëqyrës, ndërkohë që “pagesa e detyrueshme nuk do të jetë e njëjtë për të gjitha familjet, por do të varet nga rreziku i zonës ku gjendet banesa”. Nuk është e qartë nëse do të funksionojë skema, pasi mund të qëllojë që zonat me rrezik më të lart të jetë edhe më e varfra. Si do të vilen këto detyrime që nuk po mbarojnë?