Ministria e Mbrojtjes njofton sot se në Tiranë ka zhvilluar një vizitë kreu i Forcave Tokësore amerikane për Europën, gjenerallejtënant Ben Hodges. Ai ka takuar zv.ministrin e Mbrojtjes, Petro Koçi dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral, Jeronim Bazo, me të cilin dha edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Në fjalën e tij, Bazo, përveçse shprehu falënderimet e rastin, nënvizoi se “i kërkova mikut tim që të kemi vëmendjen, asistencën dhe mbështetjen e Komandës Evropiane për..rritjen e manovrueshmërisë, mbrojtjes së personelit dhe fuqisë së zjarrit për batalionin apo krijimi i kapaciteteve të zbulimit inteligjencës dhe rikonicionit (ISR) për batalionin e dytë të këmbësorisë, detyrimi jonë kryesor për Aleancën”. Batalioni i Dytë i Këmbësorisë është prioritar për FA-të, pasi ai synohet të kompletohet me armatim të ri dhe të vihet dispozicion të NATO-s. Duket se Shqipëria, si anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut, po pranon një rol më aktiv brenda saj, në kushtet kur sfidat janë reale dhe shumë të komplikuar. Ushtaraku amerikan e bëri shumë të qartë qëllimin e vizitës së tij, ndërkohë që ka paralajmëruar një stërvitje të përbashkët shqiptaro-amerikane në muajin shtator.

“Mjedisi i sigurisë ka ndryshuar shumë kohët e fundit në Evropë. Kemi rastin e ekstremizmit islamik që është përhapur gjithandej, sidomos nga vendet me origjinë nga Afrika si dhe kemi krizën tragjike të refugjatëve që është aktuale dhe po ashtu dhe invazioni rus dhe pushtimi i Krimesë nga ana e saj e ka ndryshuar shumë mjedisin atje...Shqipëria ka qenë një anëtar mjaft besnik dhe i nevojshëm i NATO që në pranimin e saj në këtë organizëm. Ndonëse një vend i vogël Shqipëria ka dërguar një numër të konsiderueshëm efektivësh ushtarakë me përvojë dhe cilësi mjaft të lartë. Mezi pres të rikthehem në Shqipëri në shtator me rastin e stërvitjes tjetër të përbashkët, ku do të ketë pjesëmarrje të ushtarakëve shqiptarë dhe amerikanë.

Arsyeja e dytë që erdha në Shqipëri është të ofroja dhe mbështetjen për ambasadorin amerikan këtu. Ambasada amerikane krijuar  në vitin 1938 dëshmon lidhjen e gjatë të bashkëpunimit midis dy vendeve. Arsyeja e tretë pse ndodhem këtu është të kuptoj sfidat dhe vështirësitë reale me të cilat përballen FA shqiptare. Samiti tjetër i NATO do të jetë në korrik në Varshavë dhe besoj se synimi kryesor do të jetë shmangia apo parandalimi i agresionit rus në veri, duke mos harruar dhe pjesën jugore. Pra dhe njëherë arsyeja kryesore pse ndodhem këtu është për t’u njohur me sfidat që ju përballeni dhe se si Amerika mund të japë ndihmesën e saj në këtë drejtim”, tha Hodges.

Nuk dihet se cilat do të jenë vendimet e Samitit të Varshavës, por vënia e theksit te parandalimi i një invazioni rus në Veri të Europës, me gjasë në vende të Baltikut, është një sfidë reale. NATO ka krijuar forcën e reagimit të shpejtë, ku bën pjesë edhe Shqipëria, por një vendimmarrje në nivel politik mund të sugjerojë edhe përgatitje për skenarë realë të konfrontimit ushtarak me Rusinë. Dhe Shqipëria është pjesë e kësaj loje.