Po qarkullon një informacion sipas të cilit organet e ndjekjes penale kanë rikualifikuar akuzën për punonjësin e policisë Arjan Tase, i arrestuar nën akuzën e vrasjes së 7-vjeçares Avdia në Potam. Nga vrasje nga pakujdesia në vrasje me dashje, nisur nga shkelja e kufizimeve të sigurisë në regjimin e lundrimit në zona turistike. Duket në pamje të parë si një përgjigje ndaj reagimit të përgjithshëm, por kjo do parë me shumë kujdes. Kodi Penal parashikon se Dashja në kuptim të kryerjes së një vepre penale përkufizohet si:

Vepra penale kryhet me dashje, kur personi i parashikon pasojat e veprës penale dhe dëshiron ardhjen e tyre ose, megjithëse i parashikon dhe nuk i dëshiron ato, me ndërgjegje lejon ardhjen e tyre

Mbetet e vështirë të imagjinohet sesi mund të qëndrojë në këmbë një akuzë e tillë edhe në kuadër të kësaj dispozite. Z. Tase me aktet e tij në shkelje të normave në fuqi ka kryer një vrasje, por mbingarkimi i akuzës me Dashjen, është kërkesë ekstreme. Pse? Nëse marrim në konsideratë nivelin e shkeljeve të kryera përditë të kufizimeve të lundrimit në zona turistike, do të mund të ngrinim akuzën e vrasjes me dashje, eventualisht për dhjetëra persona.

Në këto kushte rikualifikimi i akuzës për një ngjarje që ishte pastërtisht një vrasje nga pakujdesia dhe nga papërgjegjshmëria nëse duam, ka vetëm vlerë propagandistike. Dhe proceduriale. Mes dy veprave ka një dallim ndoshta me të paktën 5 vjet burg dhe rrëzimi eventual i njërës vepër çon në lehtësim automatik të barrës së fajësisë penale.

Nga ana tjetër, kjo akuzë e re – ende e pakonfirmuar zyrtarisht dhe ndoshta e pavërtetë – vjen ndërkohë që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka urdhëruar shkarkimin e të gjithë zinxhirit drejtues të policisë kufitare në zonë. Mirëpo me një akuzë të vrasjes nga pakujdesia ky vendim vështirë se qëndron në këmbë, qoftë edhe në kontekstin e shkeljes së kufizimeve, pasi kjo duhet të shtrihet në të gjitha institucionet përgjegjëse. 

Në finale, megjithë peshën e rëndë të ngjarjes, megjithë shëmtinë e sjelljes së këtij polici që vetëm i tillë nuk mund të jetë, është e paimagjinueshme se ky njeri ka kryer me dashje në publik vrasjen e një fëmije.

s.zaimi