Akademia Franceze i ka caktuar shkrimtarit libanez, Amin Maalouf numrin 29, që më parë e mbante antropologu i famshëm, Claude Lévi-Strauss, që siç nënvizon “Avvenire”, “më shumë se kushdo tjetër e udhëhoqi Europën drejt njohjes dhe kuptimit të kulturave të tjera”. Maalouf kosniderohet si zëdhënës i një mentaliteti kozmopolit që nuk e mohon konceptin e identitetit, por të cilin e ripërpunon në mënyrë dinamike. “Identiteti konstituhet përmes akumulimit, jo diskriminimit”, thotë shkrimtari që ndodhet në Itali me rastin e festivalit venecian “Kryqzimi i Qytetërimeve”. Më poshtë intervista për “Avvenire”:  

Në ç’kuptim thoni se identiteti konstituohet si akumulim dhe jo diskriminim?  

Kush emigron nga një vend në tjetrin duhet të vihet në kushtet e pjesëmarrjes së plotë në kulturën e re ku përfshihet pa u detyryar të mohojë për këtë arsye atë kulturë prej nga vjen. Nëse arrijmë të vendosim dhe të respektojmë parimin e kësaj qytetarie të dyfishtë, do të kemi kryer një hap vendimtar, që do të lejonte të dilnim nga situata, shumë e rrezikshme, në të cilën ndodhemi aktualisht. Duke përgënjeshtruar parashikimet e së shkuarës, identiteti bashkëkohor nuk bazohet për fat të keq në një pluralizëm pikëpamjesh. Përkundrazi, ka një kthim përherë e më obsesiv dhe të dhunshëm drejt një vizioni të njëanshëm të realitetit, me të cilinbëhet identifikimi në mënyrë jokritike dhe duke konsideruar si armik këdo që nuk do të bëhet pjesë e tij.  

 

Nga toni juaj do të thuhej se jeni gati i supririzuar.

Do të jem i siniqertë: kjo nuk është bota për të cilën kisha shpresuar, nuk është shoqëria që brezi im kishte imagjinuar.  Ishim të bindur se me pak mençuri , racionalizëm dhe humanizëm do t’ia dilnim të jetonim në paqe me njëri-tjetrin, poavarësisht ndryshimeve. Nuk shkoi kështu dhe kjo më trishton shumë. Jetojmë në një botë që duket se nuk e mbështet më dialogun, që nuk i dallon nuancat dhe që pikërisht, nuk e pranon atë shumëllojshmëri perspektivash dhe përvojash nga e cila, në bindjen time, rrjedh e vërteta. Shikoni, nga mesi i viteve ’70, kur ika nga Libani, isha shumë kritik ndaj mënyrës me të cilën menaxhohej bashkëjetesa mes komuniteteve të ndryshme në vendin tim. Qysh atëherë isha i bindur se objektivi që duhej ndjekur ishte tjetër.

Cili?

Tejkalimi i partikularizmit që secili prej komuniteteve rivendikon si qëllim final dhe si rrjedhim, konstituimi i një shoqërie që të mund të ishte thjesht njerëzore, pa nevojën e cilësimeve të mëtejshme. Por sot edhe në Europë  komunitetet po bëhen përherë e më shumë agresive, me një prirje në rritje për fragmentarizim dhe kundërvënie.

Po thoni që Europa është nën sulm për shkak të dobësisë së saj?

Nuk dua të keqkuptohem. Është e vërtetë se ka disa përgjgjësi që zënë fill tek epoka koloniale. Dhe është e pamohueshme se Bashkimi Europian ka nevojë, jo që nga sot, për një strukturë më efikase në planin politik dhe ekonomik. Siç po shohim edhe në këto kohë, shumë shpesh vendimet kyçe merren jo nga BE-ja, por nga shtete me përmasë mesatare apo të vogël. Europa mund të bëjë më shumë, por problemi nuk është Europa.

E keni fjalën për terrorizmin?

Te procesi i radikalizimit, si riafirmim i një mentaliteti identitar; te të gjitha problemet për të cilat debatohet në këto momente.  Rast pas rasti mund të jenë motivimet lokale, të natyrës politike dhe sociale, por origjina e e këtyre dukurive është e njëjtë dhe koinçidon me krizën e paprecedentë në të cilën ndodhet bota arabe. Është një panoramë dëshpëruese e dizinitegrimit moral dhe ideal, një impas që mund të jetë theksuar pak apo shumë, edhe nga faktorë të tjerë. E dhëna parësore mbetet gjithsesi dramatikisht e pandryshuar: ajo që ndodhi në Paris dhe Bruksel është në substancë, një pasojë e ndarjeve dhe rivaliteteve në botën arabe.

Në romanin tuaj të funidt, “Të çorientuarit”, përshkruani kthimin e pamundur të një intelektuali arab në vendin nga ku është nisur më parë: është kjo një shenjë dorëzimi?

Është një ngasje, ndonjeherë shumë e fortë. Por nuk besoj se duhet mbështetur. Më shumë, është pikërisht zhgënjimi i kohës sonë që kërkon një përpjekje më të madhe, për të na nxitur që të luftojmë për vlerat e humanizmit, apo nëse është e preferueshme, për të risjellë në botë një minimum dinjiteti dhe respekti. Do të jetë një udhëtim i gjatë, për të cilin nuk jam i destinuar që t’i shoh përfundimin, por një ditë qeneiet njerëzore do të lodhen duke luftuar, nuk do të munden më që të urrehen me njëra-tjetrën dhe të vriten. Dhe në atë pikë, më në fund, do ta kuptojnë se janë pjesë e të njëjtës aventurë.

Çfarë roli mund të kenë besimet fetare në këtë udhëtim?

Jamë një mbështetës i laicitetit që, nëse kuptohet në mënyrë korrekte, nuk implikon aspak fshirjen e e përvojës fetare nga horizonti shoqëror. Laiciteti, sipas meje, duhet të artikulohet sipas tri linjave. Së pari dhe mbi të gjitha, asnjë qytetar nuk duhet të diskriminohet në bazë të përkatësisë fetare. Në radhë të dytë, besimet e ndryshme nuk mund të klasfikohen si dominuese, apo të dominuara. Në fund, besimit fetar nuk duhet t’i atribuohet një rol i drejtpërdrejtë politik, por duhet të garantohet prania e tij diskrete në mjedisin social. Kur nuk shfaqet si dogmatik, laiciteti është themeli i shoqërive moderne.  

 

http://www.avvenire.it/Cultura/Pagine/MAALOUF-.aspx

*Përkthimi nga "ResPublica"