Sot përkujtohet dita e vrasjes së Azem Hajdarit, nën titullin emblematik: Hero i Demokracisë. Nuk ka rëndësi diskutimi mbi figurën e Hajdarit, pasi mirë apo keq, të paktën ai ishte një aktivist dhe njeri i angazhuar. 

Rëndësi ka termi Demokraci. Për disa arsye. 

Së pari nuk ka një konsensus historik mbi atë që ishte 8 dhjetori 1990. Nëse dëgjon protagonistët aty kupton një katalog ecejakesh mes zyrës së Ramiz Alisë dhe protestës së studentëve që në fillesë nisi për kërkesa të trajtimit në konvikte. Më tej protesta u politizua. Asnjë program, asnjë listë kërkesash të qarta politike, asnjë referim modeli, thjesht revoltë kundër një mjerimi të papranueshëm. Cila ishte pra premisa e asaj lëvizjeje: varfëria, apo liria? 

Pak më herët, më 2 korrik 1990 pati një tjetër ngjarje kataklizmike për autoritetin e PPSh-së: hapja e ambasadave. Por shqiptarët kishin ikur virtualisht prej dekadash nga ky vend, përmes fetishizmit me imagjinatë të mallrave të konsumit që shihnin në televizione të huaja, apo edhe përmes arratisjes fizike nën rrezikun e vdekjes. E megjithatë ajo nuk u shndërrua në moment për ndryshim politik dhe ky është një ndër ato mistere të historisë që shpjegon mirë psikologjinë tonë. 

Së dyti, ne duhet të pyesim: a është Shqipëria demokraci? Formalisht po, por praktikisht ajo mbetet vendi i ikjes dhe padrejtësisë, ku krimi dhe korrupsioni tashmë janë në vendimmarrje. Raporti i shumicës së njerëzve me këtë vend është mbijetesa, të drejtat as kuptohen dhe në një masë të madhe, injorimi i tyre përbën bazën e sovraniteti absolut të partive politike që bëjnë reformë zgjedhore sa herë mbarojnë zgjedhjet. 

Së treti: për cilat arsye u vra Azem Hajdari? Për arsye të qëndresës dhe luftës për demokracinë? Kjo është një pyetje që nuk ka përgjigje. Por Hajdari shenjohet si simbol i një partie që ka nevojë për të tillë për të ngulur një hu si të thuash në historinë e këtij vendi ku narrativat me heronj ngjisin më shumë sesa shtjellimi për institucionet. 

Në fund, ai ka për të mbetur një i tillë, ndonëse kjo të kujton heronjtë e shumtë që prodhon Shqipëria pluraliste, e cila bën dëshmor të atdheut edhe një polic që humb jetën aksidentalisht sepse përdryshe nuk ka si të trajtojë financiarisht familjarët.

Është një lojë e shëmtuar me injorancën dhe nën siglën e arrogancës së bejlerëve të kollarisur që historinë e një vendi të tërë e përcjellin përherë ne vetë të parë njëjës. Një simbol i pluralizmit edhe mund të shkonte, edhe mund. Por hero i demokracisë?! 

s.zaimi