Lajmi i parë pas rënies së helikopterit një Grizë të Shkodrës, ishte shpallja e pilotëve të vdekur Dëshmorë të Atdheut. Shefi i Shabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Jeronim Bazo, doli para opinionit dhe zyrtarisht deklaroi se itinerari i helikopterit ishte ai që ishte përcaktuar në planin e fluturimit. Mbeteshin pra sipas tij vetëm hetimet për shkaqet e rrëzimit. Mirëpo ditët ikin dhe të rejat nga kjo ngjarje po shtrojnë nevojën e zgjerimit të hetimit edhe për itinerarin e lëvizjes për të cilin na dha garanci Bazo, sikurse për plotësimin e detyrës nga pilotët na informoi ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila ditën e aksidentit doli dhe zbuloi aftëësi letrareske kur tha se “fati juaj ishte në qiell”. 

Pasi bëri adetetet e rastit, pra pasi e quajti të sigurtë se pilotët ranë në krye të detyrës, ministrja dhe Bazo rendën sot në bazën e Farkës, ku siç raporton “Top-Channel” ajo ka garantuar pilotët se “po bëjmë maksimumin me prokurorinë që aksidenti ajror në Shkodër të zbardhet”. Pra aksidenti ajror është ende i pazbardhur, fakt për të cilin Ministra e Mbrojtjes detyrohet ta njohë sot si një të vërtetë e cila ka përparësi kundrejt gjithçkaje në këtë ngjarje e cila ka padyshim PëRGJEGJëSI.

Një element më shumë në këtë drejtim është zgjerimi hetimeve, siç raporton po “Top-Channel”, pasi pjesë të helikopterit janë gjetur larg vendit të rrëzimit. “Në këtë zonë, rreth 300 metra larg vendit të rrëzimit të mjetit fluturues në ujë, 4 ditë pas aksidentit u gjetën pjesë të tjera që janë radari, kapakët e motorit, pjesë nga veshja e jashtme, kufjet e pilotëve. Pjesët janë gjetur nga operatori i Top Channel, i cili në përpjekje për të filmuar operacionin e nxjerrjes së helikopterit nga uji, në një zonë kënetore i fotografoi e filmoi ato. Më pas u lajmërua grupi i hetimit dhe një oficer policie së bashku me operatorin shkuan në vendin ku ndodheshin prej 4 ditësh pjesët e helikopterit. Po çfarë i ka çuar ato pjesë të helikopterit kaq larg vendit të rrëzimit? A kanë rënë ato të parat në tokë e më pas ka rënë helikopteri 300 metra më tej në ujë? Këto janë disa nga pyetjet e ngritura dhe që pritet t’i japin përgjigjie eksperrët e prokurorisë, të kompanisë prodhuese dhe ekspertët amerikanë që ndodhen ende në Shqipëri. Burime thonë se fakti që pjesë të helikopterit ndodhen kaq larg është: ose ato janë shkëputur që në ajër e më pas helikopteri ka rënë, ose pas impaktit me ujin helikat mund të kenë goditur trupin dhe forca e madhe i ka flakur pjesët në një distancë të konsiderushme”(http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=323903&fundit).

Pyetje shumë të rëndësishme për të hedhur dritë për një ngjarje e cila do të duhet të mësojë sesi reagohet në kësi rastesh, ku në fillim zbardhen shkaqet, gjendet përgjegjësia, jepen medaljet dhe pastaj, nëse ka dëshirë mundet të qajë edhe ministrja. Në ngjarjen në fjalë rendi i gjërave u përmbys dhe nuk dihet se përse.