I ftuar në studion e Richard Quest, Edi Rama, ka deklaruar se Trump e dëmton Amerikën me retorikën e tij kundër myslimanëve. Diçka kjo e tepërt edhe për standardin e "Mbledhjes së 81 partive në Moskë". Shqipëria është vend i vogël dhe fjala e saj ka një vlerë modeste, madje edhe për çështjet ballkanike. Duhet të njohim edhe faktin se askush nga Shqipëria nuk ka këllqe të shpallet kampion i tolerancës, as i myslimanëve të moderuar, si vlerë marketingu, pasi në çdo rast peshojmë pak. Nëse kjo është një mënyrë për të qenë në krah të myslimanëve shqiptarë duke kundërshtuar retorikën antimyslimane të Trump, kjo mbetet për t'u parë, ndonëse jo aq e nevojshme, në mos e tepërt dhe e parakohshme. Gjithsesi, është gjë e mirë që nuk ka zgjedhje në Vatikan.  

PS: Teksa Rama flet, gazetari i tërheq vëmendjen duke i kujtuar se është duke folur për zgjedhjet e një vendi tjetër. "Besoj e dini se etiketa diplomatike, zakonisht thotë se udhëheqësit e huaj nuk komentojnë mbi zgjedhjet në vendet e tjera", i thotë Quest.