Respublica, këtë radhë e keni gabim; po çoni ujë në mullirin e klikës Kule.

1. A është Klodeta Dibra vegël e PS-së?

 Jo! është e vërtetë që Dibra është këshilltare socialiste në B. e Tiranës. Por këtu mbaron e vërteta! Në raport me Dibrën si kandidate për rektore, PS-ja jo vetëm nuk ka luajtur gishtin për ta "ndihmuar" (siç nuk duhej të bënte), por përkundrazi, e ka "sabotuar"! Si? Duke iu lejuar Kules dhe klikës së tij të rikandidojnë për pozicione të tjera - Kule si dekan!! PS-ja pretendoi për reformim të arsimit të lartë! Po me kë? Me Kulen? Kulen që shkatërroi Universitetin e Tiranës? E pabesueshme por e vërtetë: PS-ja dhe Nikolla mbajtën në lojë Kulen, në vend që t'i jepnin dërrmën!!! Pra, NUK mund të thuhet që Dibra është marionetë e PS-së dhe PS-ja po bën "çmos" të grabisë universitetin! Përkundrazi, ajo që mund të thuhet është se PS-ja me Nikollën në krye po vazhdon ta mbajë UT-në peng të Kules me company!!!

 2. A është kërcënuar Koni?

 Nuk e dimë! Vetë Koni e përshkruan në mënyrë kaq të papërcaktuar "kërcënimin", a thua sikur të jetë i interesuar që bota ta marrë vesh që është kërcënuar, por vetë "kërcënimi" të mos jetë e mundur të sqarohet asnjëherë; shkurt, prokuroria ta ketë të pamundur të zbardhë kur ka ndodhur, si dhe kush kanë qenë autorët!

 3. A është "kërcënimi ndaj Kule-Konit" një taktikë?

 Unë besoj se po! Dhe po ashtu ofroj një shpjegim mbështetës për këtë. Në 4 ditët e fundit Koni u "njollos" 2 herë: një herë përpara studentëve të Socialeve (video u postua në youtube); herën e dytë me bllokimin dhe sabotimin që iu bëri takimeve të Dibrës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. 2 njolla, 3 ditë përpara zgjedhjeve nuk janë gjë për të mos u shqetësuar! Sidomos kur sondazhe të "brendshme" i tregonin Kules se konia e tij ishte humbës përballë Dibrës (73% për Dibrën). Atëherë përpara klikës Kule-Koni ngrihet pyetja: ç'të bëjmë? Si ta kthejmë situatën në favorin tonë? Dhe ideojnë dhe vënë në zbatim planin "Koni-viktima"! Dhori Kule shkon tek Berisha. Ky del në publik dhe thotë që kanë kërcënuar Konin; kërcënimin e ka bërë PS-ja përmes Shullazit me qëllim që Dibra të fitojë rektorshipin dhe media hëngri karremin: nga zero rreshta për zgjedhjet në UT "papritur" zgjedhjet dhe UT dhe "lufta" aty zunë të gjitha faqet e gazetave, madje ditën e djelë kur të gjithë gazetarët flenë gjumë. Dhe Koni u portretizua si i viktimizuar - gjynah! çfarë burri i mirë! Sa e poshtër kjo PS-ja, as universitetet nuk i lë rehat! Ndërsa Dibra si marioneta e PS-së, Ramës, Nikollës! E pra vetëm në Shqipëri ndodhin çuditë: Dibrës dhe një numri artikujsh të stafit të saj i bënë bllokazh “Panorama”, “Lapsi”, “Tema”, “Dita”!

“Na prish punë me Nikollën”, u përgjigjën zëdhënësit e Hyesenbelliut, meqë ai ka “Luarasin”(universitetin).

Përfundim:

Kështu një gur hodhi Kule dhe të gjithë i bëri të rendin pas tij! Të harrojnë ç'shkatërrues është ai për Arsimin e Lartë për UT-në në mënyrë specifike, për reformën në përgjithësi! Dhe merren me Klodi Dibrën! E cila jo që nuk ka patur përkrahjen e PS-së, por përkundrazi, ka kundërvënien e fshehtë dhe të hapur të Nikollës me kompani!

Ndaj edhe ju të “ResPublica-s” jeni nxituar!!! Që jeni gabim sot, kjo do të provohet nesër nëse Dibra bëhet rektore! E dini pse? Sepse nëse zgjidhet rektore ajo do të ndërmarrë veprime brenda UT-së të cilat do të shkojnë përtej llafeve për "reformë" që thotë poshtë e lart Nikolla; veprime që sfidojnë vetë veprimet dhe qëndrimin e PS-së ndaj Arsimit të Lartë, sepse Dibra do të synojë dhe ndërmarrë veprime që ta bëjë UT-në vërtet universitetin NR.1, të reformuar dhe shumë afër standardeve të universiteteve më të mira perëndimore.

 

Shënim: Ky shkrim është postuar në formën e një komenti poshtë shkrimit me titull: “A ka dorë politika në zgjedhjet në universitete?”(http://www.respublica.al/2016/04/18/ka-dor%C3%AB-politika-n%C3%AB-zgjed…), nga një lexues që nuk identifikohet.

Shkrimi i publikuar nga “ResPublica” sillte në vëmendje raportin e një deklarate të ministres së Arsimit për përfshirjen e politikës në zgjedhjet e fundit në universitete. Në shkrim nuk janë vënë në diskutim kredencialet e Dibrës, as Konit, si profesionistë dhe drejtues universitarë, por implikimi i politikës në garën e fundit. Kjo ka rëndësi dhe duhet të jetë e qartë. Nuk i heqim asnjë presje shkrimit në faktin që rezulton vetiu nga angazhimet e zonjës Dibra se ajo është një person Politik tanimë(pas zgjedhjeve lokale) përveçse një person publik si profesore. Por në asnjë rast nuk kemi thënë apo nënkuptuar se “Dibra është marionetë e PS-së”. Që përfshirja e saj politike kompromenton garën po.

Komentuesja që ka postuar komentin shtron një problem jo pak të rëndësishëm që lidhet me raportimin dhe etikën në informim. Shkrimit i mungon simetria në informacion për kandidatin tjetër, Koni, i cili është pjesë e një agresioni të cilin sot e ka pohuar me firmën e vet. Dhe se shkrimi është në vazhdën e raportimeve që kanë “ngrënë karremin” e “klikës Kule”. Meqenëse ky është një problem aktual dhe delikat dhe meqenëse komentuesja e ka “ujitur” tekstin me të dhëna konkrete, për vërtetësinë e të cilave nuk mbajmë përgjegjësi, që krijojnë përshtypjen, pra Vetëm Përshtypjen, se vijnë nga shtabi i Dibrës, apo nga simpatizantë të saj, menduam që komentin ta nxjerrim si shkrim më vete. Thjesht sepse polemizon me cilësinë e raportimit tonë, por edhe sepse sugjeron, sadoqë në mënyrë joformale, ekzistencën e një problematike shumë të madhe brenda universitetit. Dhe sidomos për karakterin e rivalitetit brenda profesoratit që nuk ndryshon aspak nga politika.

Pra në vendimin tonë për ta nxjerrë më vete, jemi udhëhequr nga konstatimi se Komenti është një Polemikë me shkrimin kryesor. Ky është një rast përjashtues nga praktika e deritanishme qëkurse faqja ndryshoi pamjen grafike(dikur ka qenë rubrika “ResPublica vs readers”).(Redaksia)