Denoncimi për kërcënimin ndaj profesorit Mynyr Koni ka rihapur debatin nëse elita jonë akademike është apo jo e politizuar. Ministrja e Arsimit thotë që jo. Sipas saj në garën për të zgjedhur drejtuesit e departamenteve, dekanët, senatorët dhe rektorët, sfida e vetme janë shkalla akademike dhe platformat për cilësi në arsimin tonë të lartë. Për ministren kjo është një garë pa ndërhyrje nga qeveria apo politika. “E tillë ka qenë gara deri dy ditë më parë kur, fatkeqësisht, ndeshëm një problem të vështirë e totalisht të pakëndshëm, i cili, për fat të mirë, u kapërcye menjëherë falë gatishmërisë dhe profesionalizmit të institucioneve të shtetit”-thotë ministrja në një reagim për mediat. Por një nga kandidatet për rektor të Universitetit të Tiranës është edhe Klodeta Dibra, pedagoge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe rivale e pedagogut të kërcënuar. Ajo që kompromenton pjesëmarrjen e saj në këtë garë është angazhimi i saj në politikë dhe për më tepër me partinë në pushtet. Dibra ka qenë aktive në fushatën e kandidatit të Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj madje dhe e para në listën e socialistëve për këshillin bashkiak të Tiranës. https://www.youtube.com/watch?v=DkjQBmDPvuY. Madje në një intervistë për gazetën Shekulli ajo zbulon se i kishte kërkuar kryetarit të Partisë Socialiste të bëhej pjesë e kësaj force politike.  “Shpreha dëshirën time kryetarit të Partisë Socialiste dhe kjo dëshirë u shpërblye me përfshirjen në listë. Ky është angazhimi im i parë politik. Sigurisht, vij nga shoqëria civile dhe më saktë nga ajo akademike. Jam pedagoge në Universitetin e Tiranës që prej vitit 1988”-shprehet Dibra. http://www.shekulli.com.al/p.php?id=256068. Po ashtu pedagogia shfaqet edhe në videon ku Erion Veliaj shpall fitoren e bashkisë së Tiranës nga selia e PS. https://www.youtube.com/ëatch?v=_cHhIruOHZo