Kush ka punuar për një kohë në media e kujton mirë sesi çdo qeveri kur kap fundin edhe të ambicieve të veta, nis e vë në punë përherë e më shumë marifete. Sali Berisha p.sh sa herë kishte ndonjë hall, ia niste këngës së arrorëve, që ta bënte qesharake situatën e të zbuste tensionet, duke treguar në të njëjtën kohë se ishte i qetë.

Për të mbivendosur axhendën e vet mbi humorin e rrëzuar të shoqërisë, qeveritë priren të zgerojnë buxhetet e fushatave, të tregojnë sa më shumë punë, presin shirta e u tregojnë njerëzve projekte nën idenë: se ne punojmë, ata shkatërrojnë. P.sh z. Berisha e mori me vrull të madh tunelin e Elbasanit dhe e bëri para zgjedhjeve të vitit 2013. Një rrugë në të vërtetë nga më të mirat dhe më me dobi në Shqipëri. Humbja e tij në Elbasan më 2013, thuajse katastrofike për nga raporti me investimet.

Shembulli na thotë se nuk ka asnjë investim që të ndërrojë një frymë. Veçse nëse kemi ngjarje madhore.

Saliu iku na thanë, e bashkë me të gjoja edhe një model i vjetër. Na erdhi modeli i ri, Edi. Mirëpo ne po shohim se z. Rama është një përsëritës në këtë drejtim, pse sa herë ka ngjarje jo të favorshme për të gjen marifete. Kështu dje p.sh tregonte për një vizitë të një zyrtari rus për të vënë në dukje se protestën e drejton aleanca e rublave. Pastaj pas protestës, për të mos lejuar që të merren me pjesëmarrjen në të hodhi foto nga tunelet e Llogorasë dhe rruga e Fierit. Më tej: këto postime i morën mediat e afërta me të dhe nisën avazin.

E njëjta lojë, e njëjta logjikë, sepse është i njëjti hall. Tani, mirë Berisha që ishte anakroniku që ishte se e morëm vesh, po Ky, intelektuali, publicisti, vizionari, artisti, ky pse njësoj? Ky qenkësh ai që do ndryshonte Shqipërinë? Keqardhje në fakt të shohësh se z. Rama është asgjë më shumë se një letër karboni, si ato të procesverbaleve të dikurshme të magazineriëve, që mbajnë gjurmë në të zezë të dokumentit origjinal. Një dikush që u pengua dhe u rrëzua në Histori. 

Një letër karboni që përsërit identikisht atë që e dimë, duke iu mburrur vetes sesa i zoti është. Po sigurisht që po, sepse kopja sado e zbehtë, një lloj Rilindjeje është.

Ne një mendim po japim, se nisur nga fakti se media kultivoka psikologji të rrezikshme, shkojnë e i bëjnë këngë: Ed karbonit!

s.zaimi