Ministrat kanë marrë urdhër të flasin për antishqiptarin Sali Berisha. T’i zënë në gojë çdo gjë, projekte, koncesione që ata thonë se i ka për familjen e vet e kështu me radhë, vetëm e vetëm se ky, pra Saliu, ka njoftuar protestë më 6 dhjetor, kur mbahet në Tiranë, Samiti i BE-së. Tani ministrat e shkretë vetëm po flasin, siç edhe bën kryeministri, se për t’i bërë gjë Saliut, u pa puna: u bënë berberë klasi.

Mund të shtrohej ndryshe, më me etikë, etiketë nëse duam, kjo çështje, por është me të vërtetë irrituese, fyese, asgjësuese për çdo logjikë ekzistenciale që një entitet si Blendi Çuçi, apo Belinda Balluku, të shpallen një ditë garantë të shqiptarisë. Jo se shqiptaria është ndonjë kush e di se çë, por ashtu siç e shtrojnë ata, pra që i kontekstualizon këta sorollopë si mbrojtës të interesave publike tonat, vallahi nuk hahet fare. Lexoni çfarë shkruan Belinda Balluku, që na u bë një ditë zv.kryeministre, që është edhe kështu një fakt personal dhe jo politik e që mjafton për të ta neveritur vendin tënd:

Këtu ka vetëm një mirëkuptim: zonja me gjasë nuk e ka shkruar vetë mesazhin në Facebook, ia kanë shkruar këshilltarët që veprojnë si automatë dhe ndaj ta mbyllim një sy.

Puna është se protesta e opozitës është e drejtë e patjetërsueshme dhe këtu çdo akuzë është me natyrë interpretative. Protesta është paqësore, siç ishte greva e urisë në bulevard e PS-së që vinte kush vinte në Shqipëri, ata aty i shihte. Deri sa shkuam te dreka e Krokodilit për tre ligje.

Pse qenka antishqiptare një protestë në ditën e samitit të BE-së? Pse duhet të jetë e tillë kur në të vërtetë në shumë vende samite të tilla provokojnë protesta të gjithfarë grupimeve, por askush nuk flet për axhenda destabilizuese? Nuk ka sesi të ketë një kuptim shqiptar për demokracinë, as edhe një kuptim sektar; ose e kupton dhe merr për atë korpus apo gjendje civilizimi që është, ose jo.

Absurdi shkon më tej kur në media të pushtetit që masin me dron çdo protestë të opozitës për ta shpallur të dështuar, sot vihet në dukje se ndoshta Ilir Meta nuk do shkojë pas Sali Berishës në këtë turp. Po a nuk është ky Ilir Meta që të njëjtat media e gjykojnë si hajdut e bandit nga mëngjesi deri në darkë? Sot i kërkohet që të mos e bëjë këtë se na i prishet karadyzeni Edit!!!

Sinqerisht, çdo njeri që ka një minimum respekti për veten gjendet i kapur mat në pyetjen se a ka diçka antishqiptare të refuzosh si normale faktin se Blendi Çuçi është ministër, edhe i Brendshëm madje, apo se në vendimmarrjen politike merr pjesë edhe Blerina Gjylameti? Çdo çast paqeje të rreme që kalon me këta, është baza e çdo antishqiptarie, pse vetëm interesi ynë nuk është këtu. Kjo është kaq e qartë.

s.zaimi