Në kuadër të mbajtjes së Samitit të BE-së nesër në Tiranë, organizatorët kanë menduar edhe një dekor bazik në Tiranë: vendosjen e fotografive të figurave kryesore të Europës së Bashkuar, apo të idesë dhe ekzekutimit të saj. Mund të shohësh aty emrat e njohur të krijimit të BE-së, të tjerë më pak të njohur, për të mbërritur në nevojën e pashmangshme për të përfaqësuar edhe Shqipërinë.

Intuita nuk të përgënjeshtrohet: Ismail Kadare ishte figura shqiptare në aradhën e europianëve të vendosur në rrugët e Tiranës, kuptohet për aq sa pamë, pasi mund të ketë edhe ndonjë imazh tjetër.

Problemi është se sa e përfaqëson Shqipërinë në kredencialet europiane Kadare. Si një shkrimtar dhe intelektual që është përpjekur që ta mbajë krahun e shikimit nga Perëndimi dhe Europa, Kadare, padyshim që hyn ndër ato figura që ka kontribut të pamohueshëm, madje në kurriz të logjikës dhe arsyetimit historik. P.sh sprova e tij për Eskilin dhe Hamletin, janë shtojca logjike, voluntarizëm i mirëfilltë që vështirë se gjen përligje në evolucionin historik të ndërgjegjes sonë.

Sa aderon Kadare tek europianët e idesë europiane, kjo ha diskutim. Letërsia e Ismail Kadaresë ka gjurmë të pamohueshme nacionalizmi identitar të paktën, ajo e ka temën e vet qendrore mbi një horizont historik, që qëndron mbi dy antagonizma bazë: atë shqiptaro-sllav dhe atë shqiptaro-osman(oriental).

Libra si “Dosja H” apo “Kështjella” kanë deri elementë shovinizmi etnik dhe kulturor, duke përfaqësuar një interpretim dominues historik, por pa ia dalë për këtë arsye të prezantojnë një vizion për të ardhmen. Mesazhi i Europës së Bashkuar shkon përkundër mesazheve etnocentrike të Kadaresë, arsye kjo e mjaftueshme që figura e tij në aradhën e atyre që investuan në kapërcimin e mërive të vjetra të ngjajë e pavend. Kadare mund të jetë një figurë europiane, por jo një europian. Në fund të fundit, ishte koha që e shenjoi atë siç bën ajo me të gjithë, ndonëse obelisku i ngritur për të në Shqipëri i ka kaluar Babelit me kohë, duke vrarë kështu mundësinë për ta kuptuar universalizmin e paktë të veprës së tij për ta zëvendësuar atë me universin kadarean.   

s.zaimi