Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka bërë një provokim dhe ka kërkuar që vjersha e himnit tonë kombëtar ‘të çpatriarkalizohet’. “Teksti i saj nuk shkon në kontekstin e sotëm të lirive civile e të barazisë gjinore”, ka thënë në thelb ai, duke iu referuar shembullit të Austrisë, ku kanë bërë të njëjtën gjë. Në terma konkretë, do duhej, sipas tij, që fjala ‘burrë’ të zëvendësohej me fjalën ‘burrë dhe grua’.

“Jo”-ja ka qenë korale, s’ka gjë se nga kënde të ndryshme shikimi. Vaso Tole thotë se ka një problem me të drejtat e autorit (Asdrenit, në rastin tonë). Kristo Frashëri thotë se “në kohën e Hoxhës u hoq një strofë, por nuk u ndryshua teksti”. “Duhen pyetur konstitucionalistët, sidoqoftë”, ia bën ai. Luan Omari është i idesë se “ligjërisht është e mundur një gjë e tillë, por kjo s’do ta zgjidhte çështjen e grave. [Prandaj] është një nismë e kotë, absurde”. Më i prerë është Rexhep Qosja. “Avokati i Popullit më ka lënë shije të mirë, por ky propozim i tij, jo”, thotë ai. Dhe argumenton e shpjegon: “Teksti i Asdrenit që nuk është plotësisht origjinal (është adoptuar një vjershë rumune), si tekst letrar nuk është antologjik, nuk është i shkëlqyer, por është bërë [tanimë] himn kombëtar, [e për këtë arsye] duhet nderuar, respektuar, e nuk duhet ndryshuar”.

E.G.